2006-09-08 17:12:38

Papa ambasadorit të ri të Kilit: jeta duhet respektuar në çdo fazë të zhvillimit e në çdo situatë.


(8.9.2006 RV)Sot, duke u takuar me ambasadorin e ri të Kilit pranë Selisë së Shenjtë, Benedikti XVI foli për shpresat e Vendit latino-amerikan, që së shpejti do të festojë 200-vjetorin e republikës në një atmosferë bashkëjetese paqësore dhe zhvillimi në të gjitha fushat e jetës, kryesisht në atë të arsimit e të shëndetësisë.
Papa ripohoi misionin e Kishës për të kumtuar Ungjillin, duke e rrezatuar dritën e tij mbi realitetet e botës e të njeriut: duke shpallur dinjitetin e njeriut dhe duke mbrojtur të drejtat e tij të pashkelshme, ndërmjet të cilave, të drejtën për jetën në të gjitha fazat e zhvillimit dhe të drejtën për të formuar familje të bazuar mbi dashurinë e besnikërinë, përmes martesës të një burri me një grua. Papa theksoi me forcë mbrojtjen e familjes, si qelizë themelore e shoqërisë si dhe të drejtën e prindërve për të pasur fëmijë, për t’i rritur e për t’i edukuar. Shenjtëria e Tij u ndalua në këto tema, sepse në këtë periudhë në Kili ndërmjet Kishës dhe qeverisë është ndezur diskutimi mbi temat e lindjes së fëmijëve, të ndërprerjes së shtatzanisë dhe të edukimit të të rinjve, sidomos adoleshentëve, të cilëve qeveria u lejon të përdorin çdo lloj kontraceptivi, edhe pa lejën e prindërve.







All the contents on this site are copyrighted ©.