2006-09-08 17:45:54

Në Romë u kremtua 15-vjetori i lidhjeve të marrëdhënieve diplomatike Vatikan - Shqipëri


(8.9.2006 RV)Dje në Kishën e Shën Gjonit të Malvës në Romë u organizua ceremonia për nder të XV vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë. Takimi ishte organizuar nga Ambasada e Shqipërisë pranë Vatikanit, me ambasador z. Zef Bushati, i cili në përfundim të mandatit të tij largohet, dhe nga rektori i kishës së shqiptarëve të Shën Gjonit të Malvës Dom Paskuale Ferraro.
Ishin të pranishëm Kardinali Ivan Diaz, i pari nunc apostolik në Shqipëri pas rënies së diktaturës komuniste, zëvendësministri i jashtëm i qeverisë shqiptare z. Anton Gurakuqi, përfaqësuesi i ambasadës shqiptare në Romë z. Kolec Topalli etj.
Në fjalën përshëndetëse zëvendësministri Gurakuqi shprehu mirënjohjen e Shqipërisë ndaj Selisë së Shenjtë gjatë këtyre 15-vjetëve për mbështetjen dhënë popullit shqiptar në rrugën e demokracisë e në veçanti në zgjidhjen e krizës së Kosovës.
Ndërsa z. Kolec Topalli në përshëndetjen e tij vuri në dukje rrënjët e krishtera të popullit shqiptar, pasardhës i ilirëve, dëshmuar nga vetë Shën Pali, rrënjë të përforcuara nga Papa Klementi XI, me origjinë arbëreshe dhe Nënë Tereza.
Në vazhdim, gjatë homelisë së Meshës shejte, të pranishëmve iu drejtua Kardinali Ivan Diaz. I cili solli ndërmend çastet e tija të para të vizitës në Shqipëri e nnë veçanti në Shkodër: “Popullin shqiptar e gjeta të demoralizuar dhe katedralen e Shkodrës të mbushur në beton.” Më pas në fjalën e tij kardinali Ivan Diaz tha se sheh për popullin shqiptar një të ardhme të ndritur.
“Ndër gjërat e paçmuara, që kam marrë me vete nga Shqipëria, është një skulpturë e Gjergj Kastriotit dhe një kryq i drunjtë gdhendur nga një mysliman — dëshmi e shpirtit vëllazëror, që ekziston ndër bashkësitë e ndryshme të këtij vendi.” - vijoi në homelinë e vet kardinali Diaz.
“Lutemi që Zoti t’i japë sa më shumë suksese këtij populli. Një nga “sukseset” e tija moderne më të fundit ishte Nënë Tereza.” - nuk harroi të vërë në dukje nunci i parë apostolik i Selisë së Shenjtë në Shqipëri, Kardinali Ivan Diaz.
Pas meshës, mbrëmja për të ftuarit vijoi me një koncert me muzikë dhome.







All the contents on this site are copyrighted ©.