2006-09-08 17:20:52

Nesër Papa do të jetë në Bavierë.


(8.9.2006 RV)Nesër do të fillojë shtegtimi apostolik i Papës Benedikti XVI në Gjermani me temë “Kush beson nuk është kurrë vetëm.
Ati i Shenjtë do të niset nga Kastel Gandolfo e do të rikthehet ndër viset ku pati jetuar para se të zgjidhej papë. Do të vizitojë Marktl am Inn, ku ka lindur 79 vjet më parë; pastaj Altoeting-Regensburgun, ku ka dhënë mësim si professor universiteti, Munihun, ku ka kryer misionin ipeshkvnor, duke rikujtuar edhe historinë e kryedioqezës së Munihut e Frisingës, ndoshta më e vjetra në Gjermani. Për t’u njohur nga afër me atmosferën e pritjes së Atit të Shenjtë, Atë Eberhard Gemingen i programit gjerman të Radio Vatikanit intervistoi kardinalin Fridrih Veter, kryeipeshkëv i kryedioqezës Munih-Frizingës, i cili dje mbajti një konferencë shtypi mbi vizitën e Papës, që nis nesër:

Pyetje: - Ç’pritet nga vizita e Papës?

Përgjigje: - Kjo vizitë pritet si festë e fesë. Dëshirojmë që njerëzit ta ndjejnë ç’është Kisha: është bashkim me Papën, por pas këtij bashkimi me Papën është bashkimi me Krishtin. Në Riem, kur do të kremtojmë Meshën e madhe, duam të lartojmë Kryqin e Engausen, që është restauruar kohët e fundit. Pikërisht me rastin e restaurimit u zbulua se ky Kryq, që e paraqet të Kryqëzuarin në madhësi natyrore, është më i madhi në botë. I realizuar në vitet 890-900 Kryqi është dëshmi e fesë në vendin tonë, asaj feje që e formoi vendin tonë për më se njëmijë vjet, e ne duam që të gjithë ta kuptojnë këtë fakt. Mendoj se kjo vizitë e Atit të Shenjtë duhet të japë provën e forcës së fesë sonë e urojmë edhe që t’i përforcojë në fe të gjithë ata që do të vijnë për të bashkëkremtuar Meshën me ne.

Pyetje: - Vizita e Papës është shtytje për të përballuar vështirësitë e Kishës gjermane….

Përgjigje: - Në se shikoj ligështitë e Kishës, sytë e mi ndalen në konceptin e shekullarizimit të Kishës. Nuk duhet të borgjezohemi, sepse kështu bëhemi të ligësht e nuk jemi në gjendje ta bëjmë të dukshme fenë tonë të krishterë. Ja, kjo më duket detyra më e madhe: nga njëra anë, të jemi të lidhur me botën, nga ana tjetër, të jemi flamur i shpalosur, që të gjithë ta shohin qartë se jemi të krishterë.

Pyetje: – E ç’duhet bërë për ta realizuar këtë?

Përgjigje: - Në radhë të parë, një kumtim të fesë që synon thelbësoren. Ati i Shenjtë e bën këtë në mënyrë shumë të bukur e të frytshme: theksoj kumtimin e fesë, sepse Kisha rinohet gjithnjë pikërisht nëpërmjet këtij kumtimi. Në radhë të dytë, kremtimi i Meshës, sepse ky nuk është vetëm çast takimi, por lartim shpirtëror, që duhet të bëhet takim me Krishtin e pranishëm. Në se e kam kuptuar si duhet historinë e Kishës, risimi i Kishës është vërtetuar gjithnjë së bashku me risimin e Meshës. E risimi i Meshës ka të bëjë jo vetëm me modifikime strukturore, por me një kremtim plot gjallëri, që kthehet në takim me Krishtin e ngjallur. Kur hebreu hynte në tempull, e ndjente veten përballë fytyrës së Zotit: duhet të mësojmë përsëri se ndodhemi para fytyrës së Hyut.

Pyetje: - Gjatë vizitës së Papës do të jenë të pranishëm shumë të ftuar edhe nga jashtë. A mund të na flisni pak për ta ?

Përgjigje: - Sigurisht, kam ftuar të gjithë ipeshkvijtë gjermanë e austriakë, duke u krijuar atyre tri mundësi: mund të vijnë në Munih, në Altoting ose në Regensburg. Por kemi ftuar edhe ipeshkvij të tjerë nga jashtë. Disa prej tyre kanë lidhje të posaçme me Munihun, në se nisem nga ky qytet: kemi lidhje me dioqezën e Pajtorit të dioqezës sonë, Shën Korbinianon, që ndodhet në jug të Parisit; do të vijë ipeshkvi i saj. Kam ftuar edhe kardinalin Lystizher e, nga Polonia, përmes lidhjeve të mia personale, kardinajtë Makarski e Dzhivish, të cilët e kanë pranuar ftesën; pastaj, që prej 40 vjetësh kemi marrëdhënie me Ekuadorin, prej nga do të vijë kryetari i Konferencës Ipeshkvnore. Shpresoj se të gjithë të ftuarit do të ndjehen si në shtëpi të vet e do ta shtojnë gëzimin tonë për vizitën e Papës.







All the contents on this site are copyrighted ©.