Selia e Shenjtë dhe Shqipëria: pasqyrë e shkurtër e 15 vjetëve të historisë së marrëdhënieve
diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë.
(7.9.2006 RV)Është një lidhje historike, e pazgjidhshme, që pushton thuajse
një gjysëm shekulli nën papninë Gjon Palit II e vijon të forcohet nën papninë e Benediktit
XVI. Duke qenë përherë një nga gjymtyrët më të ligshta të Kishës universale, Papa
Gjon Pali II, ashtu si parardhësit e Tij e si pasardhësi, Papa Ratzinger, e ka rrethuar
gjithnjë Kishën katolike në Shqipëri me atë kujdes që tregojnë prindërit për fëmijën
e vogël. Gjon Pali II ka qenë përherë i gatshëm ta mobilizojë Kishën universale në
ndihmë të Shqipërisë e të shqiptarëve, si dhe të ndërmjetësojë vazhdimisht pranë bashkësisë
ndërkombëtare për fatet e vendit të shqiponjave e jo më pak, të Kosovës. E kjo gatishmëri
u vërejt që në fillim të papnisë së Benediktit XVI. Por, të ndjekim një kronikë
të shkurtër, që flet vetë: - 3 shtator 1951: Sekretaria e Shtetit të
Qytetit të Vatikanit vendosi që Radioja e papës të flasë edhe në gjuhën shqipe. Udha
e saj nisi me: "Udhën e Krygjës", për të ndjekur pastaj hap pas hapi, për 26 vjet
me radhë Papën e ardhur nga larg, që u ul në fronin e papnisë më 26 qershor 1967.
- Më 5 tetor 1960, gjatë vizitës në Otranto të Italisë, Papa Gjon Pali
II nga brigjet e përtejme të Adriatikut, i drejtoi popullit shqiptar mesazhin e tij
të parë të dashurisë atërore dhe të kujdesit për grigjën e vogël të martirizuar të
katolikëve, nën thundrën e diktaturës komuniste. Në homelinë e Meshës shenjte, kushtuar
martirizimit të të krishterëve në shekuj, Papa sensibilizoi mbarë botën me fjalët:
“E kështu sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike
në Shqipëri tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia
e martirëve të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë rregulltare e besimtarë të thjeshtë”.
- Më 6 maj 1988 një grup shqiptarësh të diasporës së Amerikës shtegtuan
drejt Romës për t’u takuar me Gjon Palin II. Ishte takimi i parë i drejtpëdrejtë i
Karol Wojtylës me shqiptarët - shumica të ikur nga atdheu për t’i shpëtuar diktaturës: shtegtimi
fillon më 5 maj, me arritjen e shtegtarëve të largët. Më 6 maj – audienca në sallën
Klementine në Vatikan; fjalimi programatik i Papës dhe lutja drejtuar Zojës së Këshillit
të Mirë për popullin shqiptar. - 1989: vizita e parë e Nënë Terezës në
Shqipëri.
1990 kremtimi Meshëve të para të pas diktaturës: -
4 nëntor 1990 – kremtohet Mesha e parë në varrezën e Rrëmajit në Shkodër; -11
nëntor 1990 – kremtohet Mesha solemne në kapelën e varrezave të Rrëmajit. -
17 tetor 1990: Përurohet në Shkodër seminari ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të
Mirë”. - 2 qershor 1991: Në solemnitetin e Korpit të Krishtit kremtohet
Mesha solemne me procesion e kryesuar nga Imzot Ercole Lupinaçi, anëtar i delegacionit
të Selisë së Shenjtë në Shqipëri; - 7 shtator 1991: Rivendosen marrëdhëniet
diplomatike në rang nunciature apostolike për Selinë e Shenjtë dhe ambasade për
Shqipërinë; - 22 prill 1993: Ambasadori i parë Willy Kamsi paraqet letrat
kredenciale pak ditë para shtegtimit të Papës Gjon Pali II drejt Shqipërisë; Nunc
i parë apostolik emërohet prelati indian, Imzot Ivan Dias.
- 25 prill 1993
- Papa Gjon Pali II viziton Shqipërinë, duke u ndaluar në Shkodër dhe Tiranë:
gjatë vizitës i dhuron Kishës së martirizuar hjerarkinë e re të pasdiktarurës- katër
ipeshkvij të rinj: Imzot Frano Illinë, Imzot Rrok Mirditën, Imzot Robert Ashtën dhe
Imzot Zef Simonin. - 26 nëntor 1994 - Ati i Shenjtë krijon kardinalin e
parë shqiptar, Hirësinë e tij, Mikel Koliqin. - 27 maj 1995: - organizohet shtegtimi
i madh i shqiptarëve ne Gjenacan me rastin e 100 vjetorit te shpalljes se Zojës se
Këshillit te Mirë, Pajtore të Shqipërisë dhe mbarë popullit shqiptar. - 17 nëntor
1995 – ipeshkvijtë e ish-Jugosllavisë, ndërmjet të cilëve Imzot Nikë Prela, ipeshkëv
i dioqezit Shkup-Prizren, takohen me Papën Gjon Pali II në Vatikan: flitet për kontributin
e posaçëm që duhet të japin katolikët përmes përvojës së faljes e të pajtimit. -
7 dhjetor 1966 - Shenjtëria e Tij Gjon Pali II riorganizon dioqezat e Kishës katolike
në Shqipëri: themelon Dioqezën e Rrëshenit (Mirditë) në vend të abacisë së Oroshit
dhe emëron si të parin Ipeshkëv të Rrëshenit dhe administrator apostolik të dioqezës
së Lezhës, Atë Angelo Massafrën OFM, asokohe Këshilltar i Provinçës Françeskane Shqiptare
dhe Famullitar i Troshanit; ndërsa si administrator apostolik të Shqipërisë së Jugut,
emëron Atë Hil Kabashin, OFM, asokohe kapelan i besimtarëve shqiptarë në Gjermani. -
Papa Gjon Pali II shuguron ipeshkvij të rinj: Imzot Mark Sopin, ipeshkëv i Kosovës
më 6 janar 1996 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan; Imzot Angelo Massafrën, më
6 janar 1997 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan; Imzot Hil Kabashin më 6 janar
1997 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. - 28 mars 1998 - Imzot Angelo
Massafra emërohet kryeipeshkëv metropolit i Shkodrës, duke zënë vendin e Monsinjor
Illisë, pas vdekjes dhe më 29 qershor 1998 merr nga duart e Papës Gjon Pali II në
Vatikan palion e kryeipeshkvit metropolit; - më 10 korrik 1998 Imzot Zef
Gashi emërohet kryeipeshkëv i Tivarit; shugurohet më 19 shtator 1998, në bazilikën
e Shën Pjetrit në Vatikan; - Maj 1998 – Kardinali Jozef Tomko, Prefekt i
Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, viziton Shqipërinë, takohet me përfaqësuesit
më të lartë të Kishës në vend, vlerëson rolin e Kishës në procesin e zhvillimit të
vendit dhe bekon Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë të saporindërtuar. - Maj
1999: Ambasadorët e vegjël të Paqes, mbledhës të gëzhojave vrasëse të revoltës
së 1997-tës, për të bërë me to Këmbanën e Paqes, priten në audiencë nga Papa Gjon
Pali II. - 25 janar 2001: Papa zhvendos Selinë kryeipeshkvnore nga Kisha
e Shën Luçisë në Durrës në katedralen e Shën Palit të Tiranës. - 2 deri më
4 shkurt 2001 - vizita "ad Limina" e ipeshkvijve të Shqipërisë më 12 deri më
17 shkurt 2001 - e ipeshkvijve të Kosovës në Vatikan: takimi me Papën Gjon Pali II. -
8 - 12 nëntor 2002: kardinali Crescenzio Sepe, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin
e Popujve viziton Shqipërinë: më 9 nëntor takohet me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë;
më 10 nëntor kryeson Meshën në katedralen e Shkodrës, ku hap procesin dioqezan për
beatifikimin e 40-martirëve, shumica viktima të diktaturës dhe viziton dioqezin e
Sapës; më 11 nëntor kremton në Bajzë e në Lezhë; - 23 mars 2002: Marrëveshja
ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë për rregullimin e marrëdhënieve
reciproke, në 11 nenet e së cilës Republika e Shqipërisë garanton lirinë për të shpallur
e për të praktikuar në publik fenë katolike, të drejtën e Kishës katolike për t’u
organizuar dhe për të kryer misionin e saj, njohjen e zotësisë juridike të personave
ligjor për entitete të tilla të Kishës katolike të cilët janë parashikuar në të drejtën
kanonike, etj. - 23 prill 2003: i dërguari i posaçëm i Shenjtërisë së
Tij, Papës Gjon Pali II, kardinali Ivan Dias, kryeipeshkëv i Bombeit, merr pjesë,
në emër të Shenjtërisë së Tij, në kremtimet që organizoi Kisha katolike me rastin
e përkujtimit të 10-vjetorit të vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri dhe i sjell
kishës katolike e mbarë popullit shqiptar, mesazhin e Atit të Shenjtë. Këto kremtime
shënojnë kulmin e Vitit 1993 shpallur nga ipeshkvijtë shqipfolës Vit Jubilar, me rastin
e 300-vjetorit të Kuvendit të Arbënit, që na kujton lidhjet shekullore të pakëputura
të popullit shqiptar me papët e Romës;
- Romë, 19 tetor 2003–
Nënë Tereza shpallet e Lume. - 14 nëntor 2004 – Papa Gjon Pali
II u krijon mërgimtarëve shqiptarë në Itali mundësinë të mblidhen në një kishë për
të përmbushur nevojat e tyre shpirtërore në gjuhë shqipe: përurohet për besimtarët
shqipfolës, Kisha e Shën Gjonit të mullagave në lagjen romake Trastevere. -
11 janar 2005: Papa Gjon Pali II i drejton përshëndetjen pjesëmarrësve në Sinodin
Ndërheparkial të Heparkive të Arbëreshëve të Italisë: asaj të Lungros në Kalabri,
të Horës së Arbëreshëve në Sicili dhe murgjërve të Abacisë së Grottaferratës, ku u
zhvillua Sinodi ndërherparkiak, i cili nisi më 15 tetor 2004, për të përfunduar pas
tre muajsh, më 14 janar 2005. - 25 janar 2005 – Gjon Pali II miraton riorganizimin
e dioqezave të Kishës katolike në Shqipëri, si vijon: - ngre në rangun e Selisë
metropolite, Kryedioqezën e Tiranë-Durrësit, duke e ndryshuar kështu emërtimin aktual
Kryedioqeza e Durrës-Tiranës e duke i caktuar si sufragane Dioqezën e Rrëshenit dhe
Administraturën Apostolike të Shqipërisë së Jugut; - i bashkëngjet Dioqezën e Pultit,
Kryedioqezës Metropolite të Shkodrës, që emërtohet Kryedioqeza e Shkodër-Pultit, duke
lënë si sufragane të të njëjtës Kryedioqezë, dioqezën e Lezhës e të Sapës. -
18 mars 2005 – Imzot Mirditës i dorëzohet bula papnore për kthimin e kryedioqezës
së Tiranë-Durrësit në seli metropolite. - 25 janar 2006: Papa Benedikti
XVI, në vijim të riorganizimit të hjerakisë së Kishës katolike në Shqipëri emëron
tre ipeshkvij të rinj: Imzot Dodë Gjergjin, ipeshkëv i Sapës, Imzot Otavio Vitalen,
ipeshkëv i Lezhës dhe imzot Kristofor Palmierin, ipeshkëv i Rrëshenit. - 22
– 25 prill 2006: Imzot Giovani Lajolo, Sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me
shtetet viziton Shqipërinë, për t’i shprehur popullit shqiptar afërsinë e Papës Benedikti
XVI. Takohet me presidentin e Shqipërisë, Alfred Moisiun, kryeministrin Sali Berisha,
ministrin e jashtëm, Besnik Mustafaj dhe me autoritetet më të larta shtetërore, duke
vërtetuar ecurinë e kënaqshme të marrëdhënieve ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë;
kremton Meshën shenjte në Katedralen e Tiranës e në atë të Shkodrës, takohet me përfaqësues
të bashkësisë myslimane dhe me kryepeshkopin ortodoks, Fortlumturinë e Tij Anastasios
Janullatos. Gjatë vizitës, meshtarët dhe besimtarët shqiptarë shprehin dëshirën e
zjarrtë që Papa Benedikti XVI të pranojë ftesën e autoriteteve shtetërore shqiptare
për të vizituar Shqipërinë. - 7 korrik 2006: Benedikti XVI emëron ipeshkëv-ndihmës
të Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit, Atë Gjorgj Frendon.