2006-09-06 19:20:51

Të ndryshme


(6.9.2006 RV)RealAudioMP3 Në Irak gjendja vijon të jetë e pasigurtë. Në veri të Bagdadit dy shpërthime të njëpasnjëshme shkaktuan nëntë të vdekur dhe dyzet të plagosur. Nga plani politik, sot Aleanca shiite i paraqiti parlamentit projektligjin për ndarjen e vendit në krahina autonome. Kurse Britania e madhe, me gjithë situatën e rëndë në vend, vendosi të dërgojë edhe 360 ushtarë për të stërvitur forcat irakiane.

Siç parashikohej, në Meksikë, gjykata federale e zgjedhjeve pas pothuajse dy muajve hetime mbi parregullsitë e vëna re, shpalli dje president të Meksikës në mënyrë “përfundimtare dhe të padiskutueshme” Felipe Calderónin, kandidat i Partisë së Veprimit Kombëtar.

“Nëse qeveria e Sudanit ngul këmbë të mos pranojë trupa ndërkombëtare në Darfur, situata e rëndë rrezikon të shndërrohet në një krizë humanitare.”- tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan. Kombet e Bashkuara kanë kërkuar prej kohësh që ushtarët e Bashkimit Afrikan të ngarkuar për respektimin e armëpushimit, të zëvendësohen me helmetkaltër.

Japonia ka një trashëgimtar të ri për dinastinë e vet perandorake. Dje Kiko, bashkëshortja e princit Akishino lindi një djalë. I porsalinduri, mashkulli i parë i dinastisë japoneze në dyzet vjetët e fundit, bëri që të pezullohen të gjitha projektet për rishikimin e së drejtës të trashëgimisë perandorake, e cila parashikon vetëm meshkujt për fronin perandorak.







All the contents on this site are copyrighted ©.