Sot, 6 shtator, Kisha katolike përkujtoi Shën Oneziforin, nxënës i Shën Palit Apostull.
(6.9.2006 RV)Nuk kemi asnjë të
dhënë as për vendin e as për datën e lindjes së Shenjtit. Të vetmet lajme të sigurta
për Të janë fjalët e Shën Palit Apostull në Letrën II drejtuar Timoteut (1, 16-18):
“Hyji e pajistë me mëshirë familjen e Oneziforit, sepse shpesh herë ma ka freskuar
shpirtin dhe nuk pati turp për prangat e mia. Përkundrazi, kur erdhi në Romë, më
kërkoi papushim, derisa më gjeti; Zoti i dhëntë hirin të gjejë mëshirën hyjnore në
Ditën e Gjyqit. Por edhe shërbimet që më ka bërë në Efez, ti i di më mirë se askush!”. E
akoma, në përshëndetjen përfundimtare të Letrës, Pali shkruan: “Përshëndeti Priskën,
Akuilën dhe familjen e Oneziforit”. Duke u nisur nga këto fjalë arrijmë në përfundim
se ka shumë mundësi që Onezifori të ketë qenë me prejardhje nga Efezi dhe të ketë
pasur lidhje të ngushta miqësie në Zotin me Shën Palin. Këtë e tregon vetë fakti se
Shenjti e kërkon Palin në Romë dhe e gjen. Në sinasaret bizantine Shën Onezifori
përkujtohet në data të ndryshme. Ndër disa tekste përkujtohet së bashku me shërbëtorin
Porfidi, me shënimin se ishte me prejardhje nga Ikoni, ku takoi Palin që e pagëzoi
dhe e shoqëroi në misionin e ungjillëzimit. Së bashku me Palin, Onezifori duhet
të ketë shkuar në Pario të Helespontit, në Jeruzalem e në Romë. Që këtu duhet të ketë
vijuar shtegtimin drejt Spanjës, për t’u kthyer më pas rishtas në Helespont. Si nuk
pranoi t’i bindej urdhërave të prokonsullit Adrian, u torturua mizorisht dhe, së bashku
me Porfirin, u lidh për dy kuaj të egjër dhe u detyrua të zvaritej pas tyre, duke
vdekur martir. Sipas disa teksteve liturgjike Shën Onezifori ishte Ipeshkëv i
Kolofonisë, ndërsa tekste të tjera shkruajnë se qe Ipeshkëv i Koroneisë, të tjera
akoma, se nuk pati asnjë titull ipeshkvnor. Në martiriologun Romak kujtohet me
6 shtator së bashku me Porfirin.