2006-09-06 17:57:14

Raporti FKBP: nuk njihet kontributi i grave emigrante në ekonominë e vendeve të varfëra.


(6.9.2006 RV)“Lumë i fuqishëm, por i heshtur: në lëvizje drejt së ardhmes”- ky është simboli i grave, të cilave sivjet u kushtohet Raporti i OKB-së 2006 për gjendjen e popullsisë në botë, që u paraqit sot njëkohësisht në disa kryeqytete të globit.
“Roli i tyre nuk njihet, ndonëse janë një shtyllë e fuqishme mbi të cilën mbështetet ekonomia e vendeve më të varfra. Kur emigrojnë, shpesh vendet ku shkojnë ua shkelin edhe të drejta më fillestare”. Mbi këto probleme vë theksin Raporti i Fondit të Kombeve të Bashkuara për popullsinë, që u paraqit sot njëkohësisht në Romë edhe në kryeqytete të tjera të botës. Dokumenti italian, që tiullohet “Në lëvizje drejt ardhmërisë. Gratë dhe emigracioni ndërkombëtar”, është përgatitur nën kujdesin e Shoqatës Italiane të grave për zhvillimin.
Pothuajse 95 milionë, gati gjysma e të gjithë emigrantëve të botës, janë gra. Emigrimi i grave, në krahasim me të kaluarën, vijon të rritet, në gjirin e lëvizjes së madhe të njerëzve nga një vend në tjetrin: e megjithatë statistikat flasin për një përqindje gati të pandjeshme: në vitin 1960 ka emigruar 2,5 % e popullsisë botërore, ndërsa sot përqindja ka arritur vetëm në 2, 9.
Tema e emigracionit do të përballohet për herë të parë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me një takim, që do të organizohet në Nju Jork më 14 e 15 shtatorin e ardhshëm. E kjo sepse sot thellohet gjithnjë më shumë mendimi se emigracioni, po të organizohet mirë, mund të bëhet i dobishëm për të gjithë. Por një rezultat i tillë nuk mund të arrihet, në se nuk do të njihet e nuk do të vlerësohet si duhet roli i grave. Prandaj sivjet Fondi i OKB-së për Popullsinë ia kushtoi Raportin e tij vjetor grave emigrante, duke realizuar analizën e parë globale të fenomenit në një dokument me 105 faqe, të pasur me të dhëna, me grafikë e me kapituj, të cilët zbulojnë realitetin e dhimbshëm të grave emigrante, që shfrytëzohen, i nënshtrohen dhunës, shpërdorohen, e megjithatë, mbeten burim i zhvillimit ekonomik e shpirtëror.
“Lumë i fuqishëm, por i heshtur”, gratë emigrante diskriminohen dyfish: si gra e si emigrante. 650 mijë gra e vajza çdo vit janë viktima të trafikut të qenieve njerëzore. Por njëkohësisht mijëra të tjera mbështesin zhvillimin shoqëror dhe ekonomik si në vendet mikpritëse, ashtu edhe në vendet e origjinës, ku çojnë çdo vit frytin e djersës së tyre: 230 miliardë dollarë, një përrua vigan parash, që ndikon fuqimisht mbi zhvillimin global.
Raporti përfundon me thirrjen drejtuar vendeve të bashkimit evropian që ta ratifikojnë konventën mbi emigracionin, në të cilën që nga viti ’90 kanë aderuar vetëm 34 shtete.







All the contents on this site are copyrighted ©.