2006-09-05 18:31:42

Sonte në Asizi të Italisë, përfundoi mitingu “Njerëz dhe Fe”.


(5.9.2006 RV)Kujtimi i atentateve të Nju Jorkut e të Uashingtonit më 11 shtator 2001 ishin sot në qëndër të vëmendjes ndër diskutimet e tryezave të rrumbullakta të takimit “Njerëz e Fe”, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, që u përfundoi sonte. U theksua se që prej 20 vjetësh shpirti i Asizit është oazë dialogu, që i kundërvihet çdo lloj lufte ndërmjet feve dhe u përkujtua 11 shtatori 2001.
Gjatë takimit, ku u ndje fuqimisht shqetësimi për gjithë skenën botërore, u fol edhe për globalizimin si dhe për dialogun me Azinë. U fol me shqetësim, sepse tensionet e sotme janë edhe më të ndërlikuara se në kohën e Luftës së Ftoftë, kur Gjon Pali II pati thirrur këtu përfaqësuesit e të gjitha feve për t’u lutur së bashku për paqen. Benedikti XVI, që në mesazhin e rastit prek tematikat më të mprehta të kohëve tona, e thellon më tej këtë shpirt, që i fton të gjithë besimtarët të luten pranë e pranë e të ushqejnë dialogun me laicistët humanistë, duke sfiduar, ashtu si pati bërë Gjon Pali II, mosbesimin ndërmjet feve e duke zhvilluar konceptin e globalizmit të solidaritetit. E kjo, në mënyrë që të gjithë ta kuptojnë se në fe nuk ka kufij e se – siç u theksua gjatë takimit - rrënjët dhe shkaqet e konflikteve që tronditin botën e sidomos Lindjen e Mesme, duhen kërkuar pikërisht tek fetë dhe tek impenjimi fetar, kryesisht tek Islami fondamentalist, që është burim frymëzimi për shumë luftëtarë e terroristë, të cilët synojnë t’ia nënshtrojnë Tokën Shenjte ligjit islamik. E ndonëse feja shikohet si rrënjë e problemeve, pikërisht përmes saj mund të gjindet edhe rrugëdalja nga këto probleme. Shpirti i Asizit mund të jenë simbol i ditëve që ëndërron njerëzimi, i ditëve që do të vijnë. Sonte takimi i madh përfundoi me leximin dhe nënshkrimin e thirrjes për paqe nga ana e të gjithë udhëheqësve fetarë. Takimi i ardhshëm do të mbahet në Napoli sepse Mesdheu ka vlerë themelore për të tri fetë që besojnë në një Zot të vetëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.