2006-09-05 18:41:14

Nëntë vjet më parë në Kalkutë ndërroi jetë Lumja Nënë Terezë.


(5.9.2006 RV) Kanë kaluar nëntë vjet nga 5 shtatori i vitit 1997, kur Themeluesja e Motrave dhe Vëllezërve të Bamirësisë, e Lumja Nënë Terezë, u nis drejt shtëpisë së Atit. Edhe salikimet e saj, që bashkuan rreth trupit të një gruaje të vdekur përfaqësues të të gjitha feve, personalitete botërore të të gjitha fushave, të varfër e të pasur nga mbarë planeti, qenë një dëshmi e gjallë e admirimit që gëzonte rregulltarja e bamirësisë, e cila u përcoll për në banesën e fundme me një kremtim që la gjurmë në historinë e shekullit. Planeti mbarë nderonte gruan, që ia kishte mjekuar plagët, duke shkelur personalisht në të katër skajet e globit, me sandalet e vjetra të rregulltares e me moton e pamort të Krishtit: "Në se i jepni një pikë ujë njërit prej këtyre të vegjëlve të mi, ma keni dhënë mua!" Kudo shkoi, ajo u përpoq të shuante pikërisht etjen e Krishtit, etjen për Krishtin!
Papa Gjon Pali II, që e admiroi dhe e ndihmoi vazhdimisht, e quajti "dhuratë e Zotit për Kishën e për botën", për t'u kujtuar kështu të gjithëve se dashuria ungjillore qëndron mbi të gjitha vlerat, posaçërisht kur gjen shprehjen e vet në shërbimin që i bëhet më të poshtruarit ndërmjet vëllezërve e motrave tona. Sot , në nëntë vjetorin e kthimit në shtëpinë e Atit, pa u ndaluar tek imtësitë e jetëshkrimit të saj, që sot rikujtohet në mbarë botën, duke u nisur nga data 26 gusht 1910 kur lindi në Shkup, po e kujtojmë me fjalët e Gjon Palit II:
"Nënë Tereza e Kalkutës është shembull i jashtzakonshëm i misionit të heshur të bamirësisë, që lind nga kundrimi i përhershëm i Krishtit në kryq, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve më të varfër e më të braktisur.
Në fytyrat e të mjerëve, pa fytyrën e Jezu Krishtit i cili, nga lartësia e kryqit, vijon të dihasë: "Kam etje!".
E ajo iu përgjigj kësaj dihame, që dilte prej buzëve të shkrumbuara nga etja të Zotit, duke ia dhuruar vetveten njerëzve të varfër, të braktisurve, të vuajturve, të vetmuarve, atyre që vdisnin rrugash.
Duke ecur, pa u lodhur kurrë, nëpër rrugët e botës, Nënë Tereza la gjurmë të pashlyeshme në historinë e shekullit kur jetoi: mbrojti gjthnjë e kudo, me një guxim të pashoq, jetën e dinjitetin e njeriut; u dha atyre, që shtypeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga bota, vetëdijën se nuk ishin të tepërt, se ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit të gjthëpushtetshëm, plot dashuri e mëshirë për të gjitha krijesat e veta.
Dëshmoi Ungjillin e dashurisë, që ushqehet me dhurimin pa asnjë kusht të vetvetes - deri në grahmën e fundit.
Kështu do ta kujtojmë gjithmonë, duke u lutur që ta marrë shpërblimin e merituar në mbretërinë e Hyjit e duke i kërkuar të ndërmjetësojë për ne pranë Atit qiellor.
Sot shembulli i shkëlqyer i shërbimit të saj bamirës është bërë burim frymëzimi për familjene saj shpirtërore, për Atdheun e saj, për Kishën e mbarë njerëzimin!”.
Kështu është shprehur Papa që e lartoi në nderimet e leterit Nënë Terezën, të cilën sot e shikojmë me emocion të thellë të nderuar nga e gjithë bota në elter, prej nga na porosit: “Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si Zoti do secilin prej jush dhe lutuni… lutuni e silleni lutjen brenda familjes, sepse familjet që luten së bashku, qëndrojnë të bashkuara. E nëse njerëzit qëndrojnë bashkë, ato do ta duan njëri-tjetrin, ashtu si Zoti e do secilin.
Ja ç’shkruhet në motivacionin e lumnimit të Gonxha Bojaxhit:
 
"Murgesha imcake shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës - Gonxha Bojaxhiu (1910 - 1997) në shekullin e kaluar qe simbol botëror i dashurisë së krishterë. Pa i mbushur mirë 18 vjetët, duke iu përgjigjur thirrjes për veprimtari misionare, hyri ndër motrat e Loretos, që e dërguan si mësuese në Indí. Në Kalkutë zbuloi fytyrën e Krishtit të vuajtur në fytyrën e të varfërve më të braktisur. Këtu në jetën e saj filloi kthesa e madhe. Themeloi për të varfrit Misionaret e Misionarët e Bamirësisë. Sipas shembullit të saj, lindi një lëvizje e gjërë impenjimi bamirës e shoqëror në dobí të njerëzve më të lënë mbas dore, më të mjerë, më të harruar". Veç asaj që u tha më sipër, shtohet edhe se gëzon famë shenjtërie në shkallë botërore. Radhitet kështu ndër shenjtorët, të cilët u lartuan në elter në një kohë tepër të shkurtër.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.