(5.9.2006 RV)Një sari, një palë sandale, një kryq i vogël. Kjo është ikona
e Nënë Terezës së Kalkutës të cilën Papa Gjon Pali II e spalli të Lume vetëm gjashtë
vjet pas vdekjes , duke përmbushur kështu dëshirën e miliona burrave e grave nga
të katër anët e botës, që e patën konsideruar shenjte që më të gjallë. E quajtën shenjte
për bamirësinë e saj, sepse e kishin parë duke u shërbyer me dashuri të pakufishme
njerëzve më të papërfillur të botës, në Indi e gjetiu. Por gjithsesi figura e Nënë
Terezës nuk mund të krahasohet me figurën, sado heroike, të një përfaqësueseje të
Kryqit të Kuq, ose të "Mjekëve pa kufij". Pikërisht procesi i lumnimit sqaron pse
nuk duhen bërë thjeshtëzime e as paralelizma të tilla. Procesi dioqezan i kryeipeshkvisë
së Kalkutës nxori në dritë, përmes dëshmive dhe letrave, të cilat ajo vetë ia pati
drejtuar atit shpirtëror dhe kryeipeshkvit të Kalkutës, më shumë përmasën mistike,
se sa atë bamirëse, theksimi i së cilës ndonjëherë edhe është tepruar. Motra shqiptare,
fëtyra e rrudhur e së cilës të kujtonte gjeografinë e vuajtjes në botë, nuk jetoi
si e varfër ndërmjet të varfërve thjeshtë për t'u shërbyer njerëzve të braktisur nga
shoqëria: kishte një qëllim më të lartë: të ndiqte varfërinë e kryqit, të zbatonte
një për një planin hyjnor. "Shpirti im është përplot me dashuri, me gëzimin e papëshkrueshëm
të bashkimit të pandërprerë me dashurinë e Krishtit. Jezusi nuk më kërkon gjë tjetër,
veçse t'i dhuroj atij vetveten, varfërinë time, hiçin tim" - shkruante. Për ta
kuptuar më mirë ç'u tha më sipër, tregohet kjo anekdotë: " Një gazetari amerikan,
i cili, duke e parë të përkulur, tek mjekonte plagët e një të gërbuluri, që kullonin
gjak e qelb, i pati thënë se ai nuk do ta kishte bërë këtë as për një milion dollarë,
Nënë Tereza i qe përgjigjur aty për aty: "As unë nuk do ta bëja kurrë për aq para.
Por e bëj falas për Krishtin!". Diçka të ngjashme i pati thënë Nënë Terezësdhe motrave të saj një ministër indian: "Bëjmë të njëjtën punë, por me një ndryshim
të vetëm: ne e bëjmë për diçka, ju për Dikë". Megjithatë, duhet theksuar se misticizmi
i saj nuk është ishull izolimi: përkundrazi, ajo nuk mbyllet kurrë në vetvete, ia
hapë portën kujtdo, e gatshme për t'i shërbyer me të gjitha forcat, siç ishte mësuar
që në moshë ende të njomë. "Në se nuk e kryen një gjest bamirësie me dashuri, të lutem,
më mirë mos e bëj fare" - i thosh e ëma. E akoma: "Ti duhet të jeshë dora e Provanisë
Hyjnore kur nuk të shikon askush, në mënyrë që ata të cilët marrin, t'i jenë mirënjohës
Zotit e jo ty".Kështu krahët e saj u bënë krahët e vetë Zotit e ajo, simbol i dukshëm
i dashurisë së tij. Mori mbi supet e brishta barrën e stër-rëndë të të gjithë varfanjakëve
të botës, duke e ditur se kështu kënaqte Zotin e vet. Ky është thelbi i përshpirtërisë
së saj, që i ka themelet në dashurinë e pakufishme të Atit për të varfrit e të braktisurit,
e cila gjen shprehjen më të lartë në misterin e Kryqit e të ringjalljes së Krishtit.
E kjo është edhe forca e vërtetë mistike e mësimit që na lë trashëgim Nënë Tereza.
Nënë në emër të Atit!