2006-09-04 20:07:07

U hap sot në Asizi takimi dyditor ndërkombëtar “Për një botë paqeje, feshë dhe kulturash në dialog” i promovuar nga bashkësia e Shën Egjidios,


(04.9.06. RV) Takimi i Asizit mbahet 20 vjet pas ditës historike botërore për lutjen dhe paqen thirrur nga Papa Gjon Pali II.
Një takim lutjeje, themel paqeje, por edhe një takim, ai i Asizit, që nuk duhej t’u linte shteg ngatërresave mbi natyrën e dallueshme të besimeve fetare të pranishme. Kjo qe një pikë vënë mirë në dukje nga Papa Gjon Pali II në vitin 1986, dhe që u ripohua nga Benedikti XVI, i cili vuri përsëri në dukje vlerën e zgjedhjes së Papës Wojtyla. Më hollësisht mbi këtë temë flet priori i Bashkësisë së Bozesë, Atë Enzo Bianchi, i pranishëm në Asizi.


Përgjigje: Benedikti XVI më duket se pohon këtë profeci, në një farë mënyrë po e ripropozon, po e bën më elokuente, po e thellon më tej. Unë besoj se nuk duhej dyshuar për Benediktin XVI dhe këtë bashkësi, sepse dialogu ndërmjet besimeve në një farë mase është një angazhim i krejt Kishës Katolike. Por më duket e rëndësishme që Benedikti XVI saktësoi se ky takim bëhet për dëshminë, se urata e thënë dhe që mund të thuhet në këto takime, është një uratë e njëkohëshme, jo një uratë e përbashkët me të cilën, përpiqesh, me një veprim sinkretist, të bësh që të flasë një fetarizëm i përbashkët i turbullt. Jo! Secili i përket besimit të vet. Ne të krishterët mbesim të bindur se çdo shpëtim përshkohet nëpërmes Jezu Krishtit. Ai është princi i Paqes. Por dëshmitë e paqes duhet t’i japim së bashku edhe duke kundruar një palë e e një tjetër, që luten në rrugën ku i ka vënë Provania Hyjnore dhe historia. Ne duhet të mësojmë se e vërteta pret padyshim të gjithë njerëzit dhe se ndryshimet që janë sot nëpër rrugët fetare dhe rrugët kulturore kanë sidoqoftë një fat, atë të bashkëgrumbullimit simbas kohës, që do të dojë Zoti, në të cilën e vërteta do t’i bëjë të gjithë njerëzit të lirë.

Një ditë e ngjeshur me tema për reflektime ajo që hapi sot paradite takimin “Njerëz dhe fe” 2006.
Me hapjen e asemblesë plenare në teatrin Lyrick të Shën Marisë së Engjujve, pjesëmarrësit në takim përvijuan sot linjat drejtuese që do të frymëzojnë 16 tavolinat e rrumbullakëta, në program për sot e nesër, në qytetin e “paqes” siç e ka quajtur kryeipeshkëvi i Sorrentinos. Kardinali Paul Poppard, që kryesonte pleniumin, tha se është thellësisht i bindur se dialogu ndërmjet feve dhe kulturave është sot i një rëndësie parësore dhe i një nevoje absolute, në një botë të shenjuar nga terrorizmi, dhuna dhe instrumentalizimi i feve”. Por si kryetar i dikasterit për dialogun ndërfetar, kardinali saktësoi se për Kishën, ky dialog bazohet “në pranimin e Krishtit në mënyrë të palëkundur dhe të prerë”.
Themeluesi i Shën Egjidios, Andrea Riccardi, rikujtoi takimin e 1986-ës, që nuk qe, tha, rast për bisedime apo debate teologjike, por mbi të gjitha rast për miqësi dhe lutje. “Njëra palë pranë tjetrës, jo më njëra kundra tjetrës siç kishte ndodhur.” Sot pas 20 vjetësh dhe pas shumë takimesh lindur në gjurmët e Asizit, me nxitjen e Shën Egjidios, të vazhdosh të dialogosh me fetë për paqen, mund t’i duket ndokujt e kotë dhe e vjetëruar. Por nuk ka gabim më madh se ky sipas Riccardi-t:
“Nuk na shqetëson përsëritja e ngjarjes, e kësaj ngjarjeje të Asizit, kur pikërisht fetë na mësojnë të përsërisim dhe të gërmojmë për të arritur tek zemra. Jemi të bindur se urtia e takimit është ende më e nevojshme sot, kur kjo bota jonë duket se kërkon rregullin në kulturën e konfliktit dhe në zgjedhjet që frymëzon.”
Dhe dialogu ekumenik dhe ndërfetar, këtu në Asizi, filloi menjëherë me fjalimet e Patrikut të Kishës Ortodokse të Etiopisë, të Rektorit të Universitetit të Al-Ahzar të Kajros dhe të kryerabinit të Izraelit.” Pasdite këtu në Asizi u hapën tavolinat e rrumbullakëta, që do të vijojnë edhe nesër paradite, përpara momenteve të lutjeve në vende të posaçme, secili sipas ritit të vet, dhe të ceremonisë mbyllëse, në të cilën do të jetë i pranishëm edhe presidenti italian Giorgio Napolitano








All the contents on this site are copyrighted ©.