2006-09-04 20:05:58

Në lutjen e Engjëllit të Tenzot Papa propozoi Shën Gregorin e Madh, Papë të Mesjetës e model për barinjtë dhe autoritetet civile të mijëvjeçarit të tretë.


(4.9.06. RV) “Jeta e bariut të shpirtërave duhet të jetë një sintezë e drejtëpeshuar kundrimi dhe veprimi.” tha Papa dje gjatë lutjes së Engjëllit të Tenzot në Castel Gandolfo duke sjellë ndërmend kujtimin e sotshëm të Shën Gregorit të Madh Papë. Një figurë – tha Ati i Shenjtë – që është model qoftë për barijtë e Kishës qoftë për nëpunësit e administratës. Pastaj duke iu drejtuar shtegtarëve gjermanë, Papa tha se mezi ç’pret të takojë bashkëatdhetarët e vet në udhëtimin e ardhshëm në Bavari.

Një papë i mesjetës, shembull për barinjtë e Kishës dhe për nëpunësit e administratës të mijëvjeçarit të tretë. Benedikti XVI portretizoi figurën e Shën Gregorit të Madh, që jetoi prej 540 deri në 604 mb.K., në fillim prefekt i Romës, kur ishte vetëm 30 vjeç, pastaj murg e në fund Papë. “Si funksionar perandorak u dallua për aftësi administrative edhe dinjitet moral”, si murg u zgjodh nga Papa si përfaqësues i tij pranë Perandorit të Lindjes, duke mbajtur gjithmonë “një stil jete manastiri, i thjeshtë dhe i varfër”. Në fund, shpallur si mëkëmbës i Krishtit – vuri në dukje Benedikti XVI – “kërkoi me çdo mënyrë t’i ikte atij emërimi, por iu desht të dorëzohej në fund dhe, pasi la kiostrin, iu kushtua bashkësisë, i vetëdijshëm se po përmbushte një detyrë dhe se ishte thjeshtë “një shërbëtor i shërbëtorëve të Zotit.”
“Nuk është me të vërtetë i përvuajtur — shkruante — ai që kupton se duhet të udhëheqë të tjerët simbas vullnetit hyjnor dhe megjithatë e përçmon këtë gjë të spikatëshme. Por nëse, përkundrazi u nënshtrohet udhëzimeve dhe nuk këmbëngul dhe është i pajisur me ato dhanti me të cilat mund të ndihmojë të tjerët, kur i caktohet posti më i lartë i qeverisjes së shpirtërave, ai me zemër duhet t’i shmanget, por edhe pse kundër dëshirës duhet t’i bindet.” (Rregulli baritor, I, 6)

Shën Gregori – vuri në dukje Papa – i pau pushtimet barbare me besim:

“Me një largëpamësi profetike, Gregori kuptoi se një qytetërim i ri po lindte nga trashëgimia romake dhe të ashtuquajturit “barbarë” falë forcës bashkuese dhe ngritjes morale të Krishtërimit. Jeta e murgut po shfaqej si një pasuri jo vetëm për Kishën por edhe për krejt shoqërinë.”

“I ligësht nga shëndeti por i fortë nga bindjet morale – kujtoi Papa– Shën Gregori i Madh zhvilloi një veprimtari të gjerë baritore dhe qytetare.” E famshme reforma e të kënduarit liturgjik, që prej emrit të tij u quajt “gregorian”:

“Jeta e një bariu shpirtrash duhet të jetë një sintezë e drejtëpeshuar kundrimi dhe veprimi, e gjallëruar nga dashuria që “prek maja shumë të larta kur përkulet me mëshirë mbi të këqijat e thella të të tjerëve. Aftësia për t’u përkulur mbi mjerimin e të tjerëve është përmasa e forcës së vrullit [drejtuar] lart (II, 5)

Pas lutjes së Engjëllit të Tenzot, Papa, drejtuar shtegtarëve gjermanë, pohoi se mezi ç’pret të takohet me bashkëatdhetarët e vet gjatë udhëtimit të ardhshëm në Bavari, ndërsa besimtarëve italianë, që e uronin u tha aty për aty:

“Faleminderit për këto urime për udhëtimin tim. Të shtunën e ardhshme nisem për në Gjermani. Do të kthehem pastaj të enjten. Në lutje jemi gjithmonë të gjithë të bashkuar.”

Duke komentuar pastaj Ungjillin e së Dielës, Ati iShenjtë u bëri thirrje besimtarëve për dlirësi zemre, duke mos u kënaqur vetëm me dëgjimin e Fjalës së Zotit, por edhe duke e zbatuar në praktikë duke i shërbyer Krishtit Zot tek vëllezërit më të vegjël. Përshëndeti pastaj në polonisht të rinjtë, që fillojnë vitin e ri shkollor duke iu uruar “suksese në të nxënit e shkencës dhe të urtisë”. Në fund përshëndeti të rinjtë e Lëvizjes Fokolarine, ardhur nga vende të ndryshme.

“Të dashur miq, në shkollën e së Shenjtnueshmes Mari jini dishepuj besnikë të Jezusit dhe çojini drejt Tij bashkëmoshatarët tuaj.”

Dje paradite, në orën 8.30, Papa kremtoi Meshën e Shenjtë në Kapelën e Qendrës Mariapoli të Castel Gandolfos, në praninë e pjesëmarrësve të takimit të rrethit të ish—studentëve të tij, të ashtuquajturit “Ratzinger – Schulerkreis”, takim që u zhvillua në Pallatin Apostolik të Castel Gandolfos. Homelia u mbajt nga kardinali kryeipeshkëv i Vjenës, Christoph Schonborn. RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.