Për të gjetur fytyrën e Krishtit duhet të kesh një zemër të dlirë: Kështu tha
sot paradite Benediktit XVI gjatë shtegtimit të Tij në shenjtëroren e Fytyrës së Krishtit
në Manoppello në Abruzzo të Italisë.
(01.9.06 RV)Papa përsëriti thirrjen për mbrojtjen dhe ruajtjen e krijimit,
të mjedisit.Gjatë vizitës së sotme në Shenjtëroren e Fytyrës së Krishtit, Papa nënvizoi
se për të njohur Fytyrën e Krishtit tek vëllezërit tanë duhet të kemi “duar dhe zemra
të dlira”. Vetëm kështu mund të bashkohemi me Të. Vizita që zgjati gjithësej dy orë,
u shoqërua nga shfaqje të haresë së besimtarëve. I pritur nga autoritetet politike
lokale dhe nga kryeipeshkvi i Chieti-Vastos, Imzot Bruno Forte dhe nga rektori i Shenjtërores
Atë Carmine Cuccinelli , Papa përshkoi në këmbë rrugën drejtë Shenjtërores duke shtrënguar
duar e besimtarëve, që në kor i drejtonin urime mirëseardhjeje. Para sheshit, Ati
i Shenjtë deshi të përshëndesë menjëherë besimtarët duke nënvizuar se Kisha është
me të vërtetë një familje e madhe, dhe se kjo dëshmohet nga ngohtësia, nga entuziazmi
me të cilin u prit. Pastaj Ati i Shenjtë hyri në Shenjtërore. Pas adhurimit të
Shenjtnueshmit Sakrament, ngjarja që bashkësia abruxese dhe Etërit Kapuçinë, në veçanti
e pritnin prej kohësh: Ati i Shenjtë u ul për lutje për disa minuta përpara Fytyrës
së Krishtit. Një çast i një përshpirtërie të madhe dhe të thellë. Dhe që e mallëngjeu
- e tha vetë - Imzot Bruno Forten. Një ngjarje që me të drejtë mund të quhet historike.
Për herë të parë, në fakt, një Papë shkonte te Shenjtërorja për shtegtim. Dhe kjo
merr një domethënie të dyfishtë, meqë këtë vit është 500-vjetori i të shfaqurit të
pëlhurës në Manoppello. Në fjalimin e tij drejtuar klerit të atyshëm, Ati i Shenjtë
falenderoi Imzot Forten, që e quajti “mik prej shumë vitesh” si edhe teolog të shquar.
Papa pohoi se meshtarët dhe rregulltarët i quan si njerëz “të dashuruar pas Krishtit,
të tërhequr prej Tij dhe të angazhuar, që ta bëjnë jetën e tyre një kërkim të vazhdueshëm
të Fytyrës së Tij të Shenjtë. Një det duartrokitjesh kur Papa përshëndeti “seminaristët,
e ardhmja e Kishës ndër ne”. Pastaj Papa pohoi me forcë se në zemrën e Krishtërimit
është takimi me Krishtin, me dashurinë e Tij:
“Kush takohet me Jezusin,
kush lejon të tërhiqet prej Tij dhe është i gatshëm ta ndjekë deri në sakrifikimin
e jetës, provon personalisht sikur ka bërë edhe Ai se vetëm “kokrra e grurit” që bie
në tokë dhe vdes sjell “shumë fryt”. Rruga e Krishtit ishte thirrja e Papës, është
“rruga e dashurisë së plotë që fiton kundër vdekjes”. Një përvojë e jashtëzakonshme,
nënvizoi Ati i Shenjtë, e përjetuar nga dy apostujt e parë, që e ndoqën Jezusin në
lumin Jordan. “Kush jeton në Zotin që në këtë tokë”, vuri në dukje Papa, “tërhiqet,
shndërrohet nga vezullimi i fytyrës së Tij”. Dhe këtu Papa tregoi shenjtorët si shembujt
të ndritur për t’u ndjekur:
“Kjo është përvoja e miqve të vërtetë të Zotit,
shenjtërit që kanë njohur dhe dashur tek vëllezërit, veçanërisht tek më të varfërit
dhe nevojtarët, fytyrën e atij Zoti që aq gjatë e kanë kundruar me dashuri në lutje.
Ata janë për ne shembuj nxitës për t’u imituar; na sigurojnë se nëse ecim me besnikëri
kësaj rruge, rrugës së dashurisë, edhe ne – siç thotë psalmisti – do të ngopemi me
praninë e Zotit.”
Papa i drejtoi kështu fjalë nxitëse meshtarëve dhe rregulltarëve
e në mënyrë të posaçme përshëndeti seminaristët duke u thënë: “Mos lejoni që ndonjë
gjë tjetër t’ju tërheqë përveç Krishtit dhe nga dëshira për t’i shërbyer Kishës së
Tij”. Në vijim bëri Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë të kërkojnë gjithmonë – në shtegtimin
tonë tokësor – fytyrën e Krishtit, për të gjetur lavdinë e amshuar. E pastaj i kushtoi
një mendim të veçantë edhe Mbrojtjes e Shpëtimit të Krijimit, që sot u kremtua nga
Kisha italiane: “Na ndihmoftë Nëna e Krijuesit të respektojmë edhe natyrën, dhuratë
e madhe e Zotit që këtu mund të admirojmë duke shikuar malet e mrekullueshme, që na
rrethojnë. Porse kjo dhuratë, është gjithmonë përballë rreziqeve serioze të ndotjes
urbane dhe prandaj duhet mbrojtur dhe tuteluar.” Nga ana e tij, ipeshkëvi i vendit
Imzot Bruno Forte, në fjalën përshëndetëse i shprehu Papës ndjenja mirënjohjeje të
përzemërta në emër të të gjithë besimtarëve të dioqezës për këtë vizitë e takim atëror
që përjetuan sot me vizitën e parë të një pape në këtë tempull të Zotit.