2006-08-29 17:48:38

Më 4 e 5 shtator në Asizi Takimi Ndërfetar ndërkombëtar e Dita e Lujes për Paqe me temë:“Për një botë të paqes, fetë e kulturat në dialog”.


(29.8.06. RV)Të nesërmën pas takimit me Papën Benediktin XVI, themeluesi i Komunitetit Kishtar të Shën Egjidit, Andrea Riccardi, ilustron temat kyçe të Takimit Ndërfetar ndërkombëtar e Ditës së Lutjes për Paqe që do të mbahet më 4 e 5 shtator në Asizi të Italisë, me temën “Për një botë të paqes, fetë e kulturat në dialog”.
Takimi i Asizit këtë vit merrë një domëthënie të veçantë: sivjet bie 20 vjetori i “Ditës së parë historike Botërore të Lutjes për Paqe”, thirrur nga Papa Gjon Pali II në qytetin e Shën Françeskut, më 27 tetor 1986. Në atë takim e ditë të paharrueshme, në të cilin morën pjesë të gjithë liderët e feve të mëdha, të kishave e bashkësive kristiane, ishin edhe kryetarët e bashkësive fetare të Shqipërisë.
Po për një reflektim mbi takimin ndërfetar të Asizit ta dëgjojmë prof. Andrea Riccardin i cili së bashku me ipeshkvin e Ternit-Amelia imzot Vincenzo Paglia u takua me Papën në Castel Gandolfo:
“Mendoj se Papa është i bindur se fetë duhet të punojnë për të jetuar së bashku, se Kisha katolike duhet të punojë për të ndihmuar bashkëjetesën paqësore ndërmjet njerëzve. Natyrisht, Kisha nuk është një agjenci e dialogut ndërfetar, as agjenci kulturore, qëllimi i saj është ungjillëzimi, ky është misioni i saj. Më duket se Papa ka thënë fjalë shumë të rëndësishme në këtë aspekt e fushë. Eshtë qartë, sot gjendemi në një kohë e cila kërkon prej nesh realizëm e shpresë e jo iluzion apo zhgënjim, sepse pastaj shpesh ndodh që iluzionistët mbetën të zhgënjyer e këndej edhe pesimist për të ardhmen e njeriut e të bashkëjetesës”.
Takimi i Asizit, informon Komuniteti i Shën Egjidit, do të artikulohet në 16 tema kyçe të kohës sonë : nga familja deri te solidariteti, nga ekumenizmi te globalizimi, e akoma te lutja si instrument i paqës e luftimi kundër varfërisë. Këto momente të dialogut e konfrontimit kanë për qëllim “kërkimin praktik e teorik të rrugëdaljeve nga idelogjia e “ndeshjes” në përpjekjet e përbashkëta pa konfusion, të ravijëzimit të udhës shpirtërore e bashkimit të gjërë për një globalizim me fytyrë njerëzore. Dy ditët e takimit të Assisit do të përfundojnë, mbrëmjen e 5 shtatorit, me lutje e procesionin e paqes në Sheshin e Shën Françeskut. Këtu do të zhvillohet cerimonia finale me nënshkrimin e dorëzimin e Thirrjes së Paqes 2006.
Në këtë ngjarje, do të jenë të pranishëm, mes tjerësh, Rabini i Madh Cohen i Haifes, rabini Toaff e Di Segni i Romës, Ibrahim Ezzedine Këshilltar i Presidencës së Emirateve Arabe të Bashkuar, sekretari i Federatës Luterane Botërore Noko, presidenti i Konferencave të Kishave të Evropës Jean-Arnold de Clermont, kardinajët Paul Poupard, Jozef Glemp, Lopez Trujillo, Dionigi Tettamanzi, Walter Kasper. Do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e të gjitha bashkësive kristiane të Lindjes e Perëndimit, me një prani të fortë nga rajoni i Izraelit e Lindjes së Mesme, Pakistani, Lindjes së Largët e Mesdheu.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.