Kisha, ende sot persekutohet në botë, për shkak të fesë në Krishtin. Këtë tha Papa
në audiencën e përgjithshme në Vatikan, duke vijuar katekizmin kushtuar figurave
të Apostujve.
(23.8.06. RV) Vuajtjet e Kishës në botë si mundimet e Krishtit rrëfejnë egërsinë
e njeriut por edhe ndërhyrjen shpëtimtare të Zotit në histori: kështu tha mes tjerash
Papa Benediktit XVI në katekizmin e mbajtur sot gjatë audiencës së përgjithshme në
Vatikan. Me mijëra besimtarë dhe shtegtarë - rreth shtatë mijë – nga gati 15 vende
të së gjithë botës u mblodhën sot në sallën Pali VI në Vatikan për të dëgjuar katekizmin
e Papës, i cili erdhi paradite me helikopter nga rezidenca verore e Castel Gandolfos
pikërisht për audiencën e përgjithshme. Kisha nuk i meriton sigurisht disa “vështirësi
të forta, moskuptime dhe qëndrime armiqësore” “që edhe sot... i pëson e vuan në shumë
pjesë të botës”, “ashtu si edhe Jezusi nuk i meritoi mundimet e veta.” Këtë vuri në
dukje Benedikti XVI duke komentuar librin e Zbulesës së Apostullit “Gjonit, vegimtarit
të Patmosit”, emri i ishullit të Egjeut, ku Gjoni u gjend “i mërguar për shkak të
Fjalës së Zotit dhe të dëshmisë së Jezusit”. Dhe pikërisht në Patmos – kujtoi Papa
–“Gjoni pati vegimet e mëdha dhe dëgjoi mesazhe të jashtëzakonshme, që do të ndikonin
jo pak në historinë e Kishës dhe të krejt kulturës perëndimore. Në sfond të librit
është përvoja dramatike e Kishave të Azisë, e të krishterëve të persekutuar, të cilëve
Gjoni “u bën thirrje të qëndrojnë të patundur në fe dhe të mos idenifikohen me botën.”
Gjoni zbulon “duke filluar që nga vdekja dhe ngjallja e Krishtit kuptimin e historisë
njerëzore, atje ku mundimet “tregojnë qoftë egërsinë e njeriut, kur e lë veten në
fuqinë e së keqes, qoftë drejtimin që u jep Zoti ngjarjeve në një mënyrë të epërme.”
Ndër vegimet themelore të Gjonit është ajo e Qengjit, “që është i prerë në fyt e megjithëkëtë
rri drejt në këmbë” në fronin “ku është ulur edhe Zoti vetë” që do të thotë se Jezusi,
në këtë botë është një Qengj i pambrojtur, i vrarë nga dhuna por prapseprap, i ngjallur
fiton mbi vdekjen dhe është pjesëmarrës në [ushtrimin] e fuqisë hyjnore.
“Dhe kështu vegimtari don të na thotë: «Kini besim te Jezusi, mos kini frikë nga forca
kundërshtare e persekutimeve. Qengji i plagosur, i vdekur, fiton».”
Vjen pastaj
vegimi i “Gruas që lind një fëmijë Mashkull dhe ai plotësues i Dragoit” “rrëzuar nga
qiejt por ende tepër i fuqishëm”. Gruaja – shpjegoi Ati i Shenjtë – përfaqëson Marinë
dhe gjithë Kishën, “që lind në çdo kohë, me dhimbje të madhe, gjithmonë Krishtin,”
dhe “është gjithnjë e kërcënuar nga forca e Dragoit”. “E pambrojtur, duket e brishtë”
e persekutuar por e mbrojtur prej ngushllimeve të Zotit. “Dhe në fund kjo grua
fiton dhe jo dragoi. Kjo është profecia e madhe e këtij libri që na jep shpresë”. Vegimtari
i Patmosit u hap kështu të krishterëve një horizont shkëlqimplotë, që kulmon me vegimin
e Jeruzalemit qiellor, ku “nuk do të ketë më vdekje, as jaz, as ofshamë, as mundim,
sepse gjërat e përparshme kanë kaluar”. Në fund lutja e Papës e përkthyer në aramaisht
“Marana tha” Me Vegimtarin e Patmosit, me Shën Palin, me Krishtërimin që lindet
lutemi edhe ne: “Eja, Jezus”! eja e shndërroje botën. Eja që sot dhe fitoftë paqja.
Ashtu kjoftë”. Në përshëndetjet e zakonshme mbas katekizmit, në gjuhët e ndryshme,
Benedikti XVI u drejtoi një përshëndetje të veçantë grupeve të shtegtarëve dhe të
gjithëve u dha bekimin e tij apostolik.