2006-08-23 19:15:01

Intervista e Papës BXVI – pjesa 8-të: “Vlerat e krishtëra në shoqërinë e sotme dhe qëndrimet e Kishës para një bote të pa Zot!


(23.8.06. RV) Vijojmë me paraqitjen e intervistës që Papa Jozef Racinger më 5 gushtin e kaluar i dha disa televizioneve gjermane e radio vatikanit. Në pjesën e sotme do të dëgjojmë opinionin e e Atit të Shenjtë Benediktit të XVI mbi vlerat e krishtëra në shoqërinë e sotme bashkëkohore dhe qëndërimet e Kishës para një shoqërie të bazuar mbi racionalitetin e kulturën pa spiritualitet. Ja pyetja e pastaj përgjigjia e Papës.


Pyetja: Është një argument që pjesërisht është trajtuar, Ati i Shenjtë. Shoqëritë moderne në vendimet e rëndësishme përsa i përket politikës dhe shkencës nuk udhëhiqen nga vlerat e krishtera dhe Kisha — këtë e dimë prej anketimeve— konsiderohet më të shumtën, vetëm si një zë paralajmërues, qortues apo edhe deri frenues. Kisha nuk duhet të dalë nga ky pozicion mbrojtjeje dhe të marrë një qëndrim më pozitiv kundrejt të së ardhmes dhe ndërtimit të saj?


Benedikti XVI: Do të thosha se në çdo rast kemi detyrën tonë të vëmë më mirë në dukje atë çka ne e duam si të sigurt e pozitive. Dhe këtë, para së gjithash duhet ta bëjmë në dialog me kulturat e tjera dhe me besimet, sepse kontinenti afrikan, zemra afrikane, edhe zemra aziatike, mbetën të tronditura nga ftohtësia e racionalitetit tonë. Është e rëndësishme të tregojmë se nga ne nuk vjen vetëm kjo. Është reciprokisht e rëndësishme që bota jonë laike të kuptojë se feja e krishterë nuk është një pengesë, por përkundrazi një urë për dialogun me botët e tjera. Nuk është e drejtë të mendohet se kultura pastërtisht racionale, falë tolerancës së vet, mund t’u afrohet feve të tjera më lehtësisht. Asaj i mungon kryesisht “organi fetar” e me të edhe pika ndërlidhëse duke u nisur nga e cila dhe me të cilën të tjerët duan të hyjnë në kontakt e në marrëdhënie. Prandaj duhet, e mund të dëshmojnë se pikërisht për shkak të ndërkulturalitetit në të cilin jetojmë, racionaliteti i pastër, i shkëputur nga Zoti nuk është i mjaftueshëm, por nevojitet një racionalitet më i gjerë, që e sheh Zotin në harmoni me arsyen, duhet të tregojmë se feja e krishterë që është zhvilluar në Evropë, është edhe një mjet për të bërë të bashkëderdhen e shkrihen arsyeja dhe kultura e për t’i mbajtur së bashku në një unitet që përfshinë edhe veprimin. Në këtë kuptim besoj se kemi një detyrë të madhe, të tregojmë, pra se kjo Fjalë, që ne posedojmë, nuk i përket — si të themi — rrangallave të historisë, por është e nevojshme pikërisht sot.


Pyetje :Atë i Shenjtë, të flasim për udhëtimet e Juaja. Ju jeni në Vatikan. Mbase ju kushton të qenit larg nga njerëzit dhe ndarja nga bota, edhe këtu në mjediset shumë të bukura të Castel Gandolfos. Por Ju pas pak dotë mbushni 80 vjetët. Ju mendoni, me ndihmë të Zotit se do të mund të bëni përsëri shumë udhëtime? A keni një ide se ç’udhëtime dotë donit të bëni. Në Tokë Shenjte, në Brazil? E dini qysh tani?


Benedikti XVI: Të them të vërtetën nuk jam aq vetëm. Natyrisht janë muret – si të thuash – që e bëjnë të vështirë hyrjen, por ka një “familje papnore”, çdo ditë ka shumë vizita, veçanërisht kur jamë në Romë. Vijnë ipeshkvijtë, njerëz të tjerë, ka vizita shtetërore, personalitetesh, që duan të flasin me mue edhe personalisht e jo vetëm për çështje politike. Në këtë kuptim ka një shumëllojshëmëri takimesh dhe falë Zotit këto më dhurohen vazhdimisht. Është e rëndësishme që selia e Pasardhësit të Pjetrit të jetë një vend takimesh — apo nuk është kështu? Që nga koha e Gjonit XXIII, pastaj, lavjerrësi është spostuar edhe në kahun tjetër: janë Papët ata që kanë filluar të bëjnë vizita. Duhet të them që unë nuk ndihem aq i fortë sa të planifikoj në axhendën time shumë udhëtime të tjera të mëdha, por ku këto më lejojnë të drejtohem me një mesazh, ku i përgjigjen një dëshire të vërtetë, atje do të doja të shkoja, në atë “masë” që mundem. Diçka është parashikuar. Në Brazil vitin e ardhshëm zhvillohet takimi i CELAM-it (Këshilli Ipeshkvnor Latino-Amerikan) dhe mendoj se atje prania e ime do të jetë një hap i rëndësishëm, kini parasysh, nga njëra anë situatën dramatike që Amerika e Jugut po përjeton dhe, nga ana tjetër krejt forcën e shpresës që vepron në të njëjtnë kohë, në atë zonë. Do të doja pastaj të shkoja në Tokë Shenjte, dhe shpresoj të mund ta vizitoj në kohë paqeje, për të tjerat të shohim se çka rezervon Provanija Hyjnore.







All the contents on this site are copyrighted ©.