2006-08-19 13:51:13

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dieles së 20-të gjatë vitit kishtar “B”


(19.8.06 RV)Të nderuar dëgjues e lexues, ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku Liturgjinë Hyjnore të Fjalës së Zotit të dielës së 20-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë. ( Fjalët e Urta 9,1-6; Ps 34(33); Ef 5,15-20; Gjn 6,51-58)
Cdo të diele (çdo Meshë) momenti i liturgjisë së Fjalës së Zotit është një tryezë në të cilën ushqehet feja jonë. Për jetën tonë është e domosdoshme të ushqyerit jo vetëm me bukë: ja ushqimi i Urtisë, që na ofron leximi i parë i Meshës së kësaj së diele, që na propozon Libri i Fjalëve të Urta (Fu 9,1-6); ushqimi i një feje të hareshme, i një feje ngazëlluese e jo materialiste, të sugjeruar nga shën Pali apostull në leximin e dytë të kësaj së diele marrë nga Letra e tij drejtuar Efesianëve; e sidomos buka e gjallë zbritur nga qielli që është Jezu Krishti. Ungjilli i së dielës nga kreu i 6-të i shën Gjonit (Gjn 6,51-58) na kujton se, nëse nuk ushqehemi më Të (Krishtin), Fjalë e Bukë, ne do të vdesim.
Një thirrje speciale na ka ftuar të formojmë familjen e bijëve të Zotit: “Ejani, hani bukën time, pini vërën që unë kam përgatitur!”. Janë fjalë që do t’i dëgjojmë e të cilat na japin domëthënien e kremtimit të Meshës së dielës. Nuk shkojmë në Meshë për të marrë pjesë në ndojë spektakël fetar, por për të marrë pjesë në banketin e jetës, nuk jemi spektatorë, por protagonist të një historie në të cilën Zoti i shpëton, i shëlbon të gjithë falas.
Për një besimtar izraelit të përshpirtshëm, urtia është dhuratë e Zotit bërë njeriut në mënyrë që ky të mund t’i njeh misteret e jetës; për besimtarin e krishterë është pjesëmarrje reale në vetë jetën e Zotit.
Të jesh i krishterë domëthënë të pranosh planin e jetës që Zoti ofron: një projekt që është shumë i ndryshëm prej atyre që na ofrohen nga bota me motada e me kompromise të veta të lehta. Të jesh i krishterë domëthënë të nënshkruajsh aktin e besëlidhjes me Zotin që çliron prej çdo robërie duke na çuar në shpëtim. Cdo Meshë që ne kremtojmë është konfirmim e aktualizim i kësaj besëlidhjeje. Nëse jemi të pranishëm në Meshë, para elterit, nuk është për të përmbushur në mënyrë pasive një detyrim, por për t’i thënë ‘po’në e gëzueshme përgjigjes së dashurisë që Zoti ka për ne. Ta konfirmojmë, ta pohojmë këtë besëlidhje duke i kërkuar falje Zotit nëse ndonjëherë e kemi tradhëtuar me mëkatet tona e përsëri ta ndjejmë përqafimin e përdëllimit të Tij të pakufishëm.
Pra, në Ungjillin e kësaj së diele vijojmë me leximin e kreut të 6-të të Ungjillit të shën Gjonit, e vijon fjalimi eukaristik i Jezusit, si fill udhërrëfyes i teksteve liturgjike të kësaj së diele të XX gjatë vitit kishtar, ciklit B. Kësaj herët figura mbizotëruese është ajo e thirrjes për të marrë pjesë në banketin e përgatitur e të stolisur nga Urtia, personifikim i Dashurisë e i Inteligjencës së Zotit në Besëlidhjen e Vjetër; në Besëlidhjen e Re, është realitet subjektiv, historik, në personin e Fjalës së mishëruar, Jezu Krishtin, i cili na thërret të ngrënim trupin e tij, ushqim i vërtetë, e të pijmë gjakun e tij, pije e vërtetë, për të pasur e fituar jetën e përjetshme. Fryt i këtij banketi është urtia e jetës, sipas ligjit të Zotit, sipas shembullit të Krishtit, Udha, e Vërteta e Jeta.
(don David GjugjaRealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.