Pjesa e dytë e intervistës së Papës Benediktit të XVI dhënë tri tv gjermane e radio
vatikanit më 5 gusht e transmetuar të dielën në mbrëmje më 13 gusht.
(15.8.06 RV)Vijojmë me pjesën e dytë të intervistës së Papës Benediktit të
XVI dhënë tri Televizioneve gjermane e Radio Vatikanit më 5 gusht e transmetuar të
dielën në mbrëmje më 13 gusht. Intervista e Papës është marrë e ri-transmetuar në
mbarë botën. Roli i gruas në Kishë, çështja e Sides dhe sfida e modernitetit, janë
ndër argumentet që Ati i Shenjtë ka trajtuan në intervistën e tij të gjatë. Sot duam
të ju ofrojmë pjesën e dytë të intervistës e pikërisht pjesën mbi dialogun ekumenik
dhe elementin fetar në shoqëri.
2) Pyetje: Si Papë Ju jeni përgjegjës për Kishën
në mbarë botën. Por sigurisht vizita Juaj bën që vemendja të drejtohet edhe nga
situata e katolikëve në Gjermani. Tani, të gjithë vëzhguesit janë të një mendjeje
se atmosfera është e mirë, edhe falë zgjedhjes suaj si Papë. Por natyrisht problemet
e vjetra kanë mbetur, vetëm sa për të dhënë disa shembuj: ka gjithnjë e më pak
që praktikojnë besimin, gjithnjë e më pak pagëzime, e mbi të gjitha gjithmonë
e më pak ndikim në jetën shoqërore. Si e shihni Ju gjendjen aktuale të Kishës
katolike në Gjermani?
Benedikti XVI: Unë do të thosha se Gjermania i përket
Perëndimit, edhe pse me një ngjyrim karakteristik, dhe në botën perëndimore sot
përjetojmë një valë të një iluminizmi apo laiciteti, të ri e rrënjësor, quaje
si të duash. Të besosh është bërë e vështirë, sepse bota në të cilën jetojmë është
e përbërë vetëm nga ne, dhe në të, Zoti, si të thuash, nuk shfaqet drejtëpërsëdrejti.
Nuk pijmë ujë fill nga burimi por nga shtamba që na jepet e mbushur e kështu me
radhë. Njerëzit kanë ndërtuar një botë të tyren, dhe të gjesh Atë (Zotin pra)
në këtë botë është gjithmonë e më e vështirë. Kjo nuk vlen vetëm për Gjermaninë,
por është diçka që vërehet në gjithë botën, në veçanti në atë perëndimore. Nga
ana tjetër Perëndimi sot ndeshet edhe me kultura të tjera, në të cilat elementi
fetar i paprekur është shumë i fortë, dhe që janë të tmerruara nga ftohtësia,
që takojnë në Perëndim kundrejt Zotit. Dhe kjo prani e së Shenjtës në kulturat
e tjera, edhe pse e mbuluar në shumë mënyra, e prek sërish botën perëndimore,
na prek ne, që gjendemi në udhëkryqin e shumë kulturave. Dhe edhe nga thellësia
e njeriut në Perëndim dhe në Gjermani del në krye përsëri pyejtja e "diçkaje më
të madhe". Shohim se te rinia kemi kërkimin e asaj "më tepër", shohim se në një
farë mënyre dukuria e fesë - siç thuhet - kthehet, ani pse bëhet fjalë për një
lëvizje kërkimi shpesh të papërcaktuar. Por megjithëkëtë Kisha është përsëri e
pranishme, feja ofrohet si përgjigje. Dhe unë mendoj se pikërisht kjo vizitë,
sikurse edhe ajo në Këln, është një mundësi që të vërehet se të besosh është
diçka e bukur, se gëzimi i një bashkësie të madhe universale zotëron një forcë
tërheqëse, se pas saj ka një diçka të rëndësishme dhe se së bashku me lëvizjet
e reja kërkimtare ka edhe rrugë që të çojnë te besimi, që na çojnë një palë drejt
palës tjetër dhe që janë edhe pozitive për shoqërinë në tërësinë e vet.