Në festën e të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell, Papa ia beson Mbretëreshës së
Paqes ankthet e njerëzimit për çdo vend të sflitur nga dhuna.
Papa Benedikti XVI iu lutë sot Virgjërës Mari, Mbretëreshës së paqes, për dhuratën
e mirëkuptimit për mbarë botën. Mendimi i Atit të Shenjtë shkoi edhe një herë në Liban
e në Tokën e Shenjtë, por edhe në Irak e në Sri Lankë. “Maria – shtoi Papa Racinger
– është shembull e mbështetje për të gjithë besimtarët: ajo na inkurajon të mos e
humbasim shpresën para vështirësive e problemeve të pashmangshme të jetës së përditshme.
Na siguron ndihmën e saj e na kujton se gjëja themelore është të kërkosh e të mendosh
gjërat e larta të qiellit, e jo ato të tokës”: “Të zënë me punët e përditshme,
ne vërtetë rrezikojmë të mendojmë se qëllimi i fundit i ekzistencës njerëzore është
këtu, në këtë botë në të cilë jemi vetëm në kalim. Ndërsa caku i shtegtimit tokësor
është Parasja. Sa do të ishin ndryshe ditët tona, po ti vështronim në këtë perspektivë!
Kështu ka qenë për shenjtorët. Jeta e tyre dëshmon se kur jetohet me zemër përherë
të drejtuar kah qielli, realitetet tokësore jetohen në vështrimin e në vlerësimin
e drejtë sepse të ndriçuara nga e vërteta e amshuar e dashurisë hyjnore”.
Këndej
Papa iu lutë Virgjëres Mari të ndërmjetësoi për paqen në botë:
“Mbretëreshës
së paqes, të cilën e kundrojmë në lavdinë qiellore, dua t’ia besoi edhe një herë ankthin
e njerëzimit për çdo vend të botës të munduar nga dhuna”. Pastaj Ati i Shenjtë
Benedikti XVI shprehi afërsinë dhe bashkimin e tij shpirtëror me ata që sot janë
mbledhur në Shenjtëroren e Zojës Sonë të Libanit në Harissa për Kremtimin e Meshës
së Shenjtë të kryesuar nga kard. Roger Etcheragay, i cili ka shkuar në Liban si i
Dërguari i Posaçëm i Papës, “për të dëshmuar afërsinë atërore e për të shpreh solidaritetin
konkret të Atit të Shenjtë me të gjitha viktimat e konflikitit dhe për t’u lutur për
njetin e madh të paqes”. E Benedikti XVI shprehi bashkimin e tij edhe me Barinjtë
e me besimtarët e Kishës në Tokën e Shenjtë, mbledhur në Bazilikën e Lajmërimit në
Nazaret, përreth përfaqësuesit papnor në Izrael e Palestinë, imzot Antonio Franco,
“për t’iu lutur Zotit për të njëjtat qëllime”. Mendimi i Papës iu drejtua edhe dy
Vendeve tjera të tronditura nga luftërat dramatike: “Mendimi im i drejtohet edhe
Kombit të dashur të Sri Lankës, të kërcënuar nga përkeqësimi i konfliktit etnik; pastaj
Irakut, ku vazhda e gjakut që derdhet çdo ditë, e largon perspektivën e pajtimit e
të rindërtimit të Vendit. Virgjëra Mari na dhuroftë të gjithëve ndjenja të mirëkuptimit,
të vullnetit të marrëveshjes e të dëshirës së harmonisë!”.
*************************
Para lutjes së Engjëllit të Tenzot, sot në mëngjes
Papa kremtoi Meshën e Shenjtë për Solemnitetin e të Ngjiturit të Marisë në Qiell,
në kishën famullitare të Shën Tomës nga Villanova, në Castel Gandolfo. Me këtë rast
Benedikti XVI pohoi se në fytyrën e Virgjëres së Bekuar mund të shohim bukurinë e
Zotit e, përmes shembullit të saj, të shijojmë dashurinë e Zotit e cila gjithmonë
fiton mbi të keqën. “T’i lutemi Marisë, Mbretëreshës së Paqes, të na ndihmojë edhe
sot, për fitoren e paqes”. Maria, pohoi Papa, është e Lumtur për të gjitha breznitë
sepse ka besuar, “sepse i është bashkuar Zotit, sepse jeton me Zotin”. Maria, vijoi
Ati i Shenjtë, “ka përgatit me trup e shpirt këtu në tokë banesën për Zotin, dhe tokën
e ka hapur për qiellin”. Këndej Papa nënvizoi domethënien themelore të fjalëve të
Elizabetës drejtuar Nënës së Zotit, për çka foli ungjilli i sotëm: “ E Lumja tij pse
besove:” “Akti i parë dhe themelor për të gjetur banesën në Zotin e për të gjetur
kështu lumturinë përfundimtare është të besosh. Eshtë feja, feja në Zotin, në atë
Zot që është shfaqur në Jezu Krishtin e që edhe sot zëri i Tij dëgjohet përmes Fjalës
hyjnore të Shkrimeve të Shenjta”. Në Kishën famullitare të Castel Gandolfit të
stërmbushur përplotë me besimtarë, të cilët u lutën për paqen në Lindje të Mesme,
Papa edhe herë deshti të ripohonte se “duke shikuar fytyrën e Marisë” mund të shohim
“bukurinë e Zotit, mirësinë e tij, mëshirën e tij hyjnore”.