2006-08-11 18:58:41

Të nesërmen e zbulimit të atentateve terroriste në linjat ajrore angleze drejt SHBA-së, e gjithë Britania e Madhe dhe SHBA-ës janë në gjendje alarmi.


(11.8.2006 RV)RealAudioMP3 “Niveli i alarmit mbetet i lartë në Mbretërinë e Bashkuar si “masë sigurie” për të mbrojtur popullin.” Lajmi u dha nga ministri i brendshëm britanik John Reid. Sipas kanalit televiziv CNN, sulmet terroriste u zbuluan nga një agjent i futur në një nga celulat terroriste islamike.
Pas policisë ishte Banka e Anglisë ajo që reagoi e para. Menjëherë u bllokuan llogaritë bankare 19 prej 24 të arrestuarve, shumica e të cilëve janë me origjinë pakistane. Në të njëjtën kohë edhe në Pakistan u arrestuan pesë persona në lidhje me këto atentate, që duhet të kishin ndodhur pikërisht sot, me 11 gusht, një muaj para se të mbusheshin 5 vjet nga atentatet e Kullave Binjake në Nju Jork.
Në një nga shtëpitë e të arrestuarve u gjet edhe një video që flet për martirizimin e kamikazes, gjë që provon vërtetësinë e atentateve. Megjithë këtë valë të re të terrorit, ashtu si në korrik të 2005-ës, anglezët po dëshmojnë se janë të aftë të reagojnë ndaj rreziqeve në mënyrë civike. Aktivitetet e përditshme vijojnë rregullisht kudo.







All the contents on this site are copyrighted ©.