2006-08-10 17:43:59

Me 10 gusht Kisha kremton Shën Lorencin, diakon e martir.


RealAudioMP3 (10.8.06. RV) Duk shfletuar kalendarin e 10 gushtit, Kisha kremton Shën Lorencin, diakon e martir.
Lorenci qe diakoni i parë i Kishës së Romës, dhe kishte për detyrë , ashtu sikur Shtjefni, të ndihmonte e t’u shpërndante të varfërve ndihmat që mblidhenin të krishterët e qytetit, sipas porosisë së Ungjillit.
Për jetën e Lorencit dihet shumë pak, ndërsa njihet fare mirë vdekja e tij. Në vitin 258, perandori Valeriani nisi persekutimin kundër të krishterëve. Në gusht të vitit 258 martirizohet me prerje të kokës vetë Papa Siksti II.Tregohet se Lorenci e pati takuar nderisa po shkonte në martizim. Me këtë rast Prefekti i perandorisë e ndali Lorencin, të cilit i kërkoi t’i dorëzonte “thesaret e Kishës”. E Lorenci, pasi u shpërndau të varfërve lëmoshat e Kishës, e paraqiti para prefektit turmën e të sëmurëve e të skamnorëve dhe brohoriti: “Ja, këto janë thesaret e Kishës. Nuk pakësohen kurrë e gjithmonë japin fryte të reja dhe mund t’i gjesh kudo”.
Sipas traditës, të një “Passio” (Akti të martirizimit) të lashtë gjetur nga Shën Ambrozi, Lorenci është djegur përsëgjalli përmbi një skarë e thëngjijë të ndezur. Po sipas gjasës, në ditët e para të gushtit të vitit 258 për shkak të fesë së tij në Krishtin Zot, në kohën e perandorit Valerianit, iu pre koka, sikur papës Sisktit II, në rrugën romake Tiburtina, ku më vonë Kostantini do ti ndërtojë një bazilikë madhështore, e cila është restauruar pas bombardimeve amerikane mbi Romën gjatë luftës së II botërore. Ishte 19 korriku i vitit 1943.
Shën Leoni i Madh, papë, në një homeli, duke treguar dhe përshkruar martirizimin e Shën Lorencit mbi skarë, tregon:” Derisa e piqnin, ai gjente forcë të bënte shaka me njeriun që e rrotullonte mbi zjarr, për ta torturuar sa më egërsisht- I thoshte: “A nuk e shikon se nga kjo anë tashmë jam pjekur si s’ka më mirë? Rrotullomë pra, nga ana tjetër…….”.
Shën Lorenci është pajtori qiellor i të varfërve, e pasi si diakon i ruante librat e shenjtë, është edhe pajtor i biliotekarëve, i bibliofilëve e librashitësve.







All the contents on this site are copyrighted ©.