2006-08-09 18:35:25

Sipas kalendarit të 9 gushtit, Kisha përkujton Shën Tereza-Benediktën e Kryqit, (Edith Stein), martire, rregulltare karmelitane.


RealAudioMP3 (9.8.06 RV)Me martirizimin e saj ka pohuar e shpallur arsyet e Zotit e të njeriut duke hedhur një urë me harqet filozofike e mistike. Tri gjurmët që e shpien tek Kryqi janë: përkatësia e saj popullit hebraik; eksperienca e saj kulturale, etja e së vërtetës e për të vërtetën dhe përqafimi i katolicizmit më 1922, me hyrjen e saj në rregullin e Karmelit. Lutja qe themeli e Eukaristia drita e jetës, teologjia, filozofija e studimi i Shkrimeve të Shenjta Biblike, shkallët e ngritjes dhe të madhështisë së jetës së saj të jashtëzakonshme shpirtërore, intelektuale e njerëzore.
Edith Stein është hebreje, lindur në Breslau më 1891. Si e re ishte ateiste. Nxënëse e pastaj asistente e prof. Husserlit, themelues i famshëm i fenomenologjisë në univeristetin e Goethingenit e pastaj në Freiburg. Eshtë autore e veprave me horizonte të gjëra, përkthyese e Shën Tomës së Akuinit e docente në Institutin e Pedagogjisë në Mynster. Studioi gjithnjë e shqetë, gjithnjë e pakënaqur nga vetvetja e nga shkenca. Kërkonte të vërtetën, shpjegimin e enigmës së jetës. E gjeti vetëm në fenë katolike, pas leximit të autobiografisë së Shën Terezës së Avilës. U pagëzua ditën e vitit të ri më 1922.
Pas pagëzimit, Edith Stein vendosi të hyjë në Karmel, duke ia paraqitur Zotit jetën e vet si flije në elter për shpëtimin e njerëzve të saj. Ju kushtue mësimdhënies në liceun e motrave Domenikane në Spira. Regjimi nazist e largoi nga arsimi sepse ishte hebreje. Me ashpërsimin dhe keqësimin e përndjekjeve racore, eproret e strehuan në kuvendin e motrave rregulltare të Echt-it në Hollandë. Këtu shkroi edhe veprën e saj të fundit: “Skenca e Kryqit”. Në gushtin e vitit 1942 Gestapoja e nxori me forcë nga kuvendi dhe së bashku me një motrë tjetër karmelitane,Rozën i çuan në Auschwitz. Këtu i vranë më 9 gusht të vitin 1942, një vit mbas vdekjes së shën Maksimilian Kolbe (14 gusht 1941).Shën Tereza Benedikta e Kryqit ështëBashkëpajtore e Evropës, me Shën Brigjidën e Suedisë dhe Shën Katerinën e Sienës.







All the contents on this site are copyrighted ©.