2006-08-08 16:25:53

‘E Lumja Nënë Tereze, flakë e dashurisë’: “ Kush është Jezusi për mua?”


(8.8.06. RV)RealAudioMP3 Dëgjues të nderuar vijojmë me rubriken tonë të përditshme radiofonike kushtuar të Lumës Nënë Terezës.
Sot, përmes një urate të saj që kemi shkëputur për këtë rast, e Lumja Nënë Tereze na mëson përmes meditimit e kundrimit të Ungjillit, ta njohim nga afër figurën e Mësuesit e të Shëlbuesit Hyjnor, Jezu Krishtit. Në këte më së miri na ndihmon Shën Maria, Nëna Qiellore. Po ja si u shkruan Nënë Tereza simotrave të veta, Misionareve të Dashurisë..


“Kush është Jezusi për mua?
Jezusi është Fjala e mishëruar.
Jezusi është Buka e Jetës.
Jezusi është Flija e gozhduar në Kryq për mëkatet tona.
Jezusi është Flija e flijuar në Meshën Shenjtë
për mëkatet e botës dhe të miat.
Jezusi është Fjala për t’u thënë.
Jezusi është e vërteta për t’u treguar.
Jezusi është Rruga ku duhet ecur.
Jezusi është Drita për t’u ndezur.
Jezusi është Jeta për t’u jetuar.
Jezusi është Dashuria për t’u dashur.
Jezusi është gëzimi për t’u ndarë me të tjerët.
Jezusi është Flija për t’u ofruar.
Jezusi është Paqja për t’u dhënë.
Jezusi është Buka e Jetës për t’u ngrënë.
Jezusi është I Urituri për t’u ushqyer.
Jezusi është i Eturi për t’u ngopur me ujë.
Jezusi është i Paveshuri për t’u veshur.
Jezusi është i Pastrehu për t’u marrë në shtëpi.
Jezusi është i Sëmuri për t’u mjekuar.
Jezusi është i Braktisuri për t’u dashur.


“Përpiquni të bëheni dashuria e Jezusit, mëshira e Jezusit – prania e Jezusit për njëri-tjetrin dhe për të varfërit, të cilëve u shërbeni. E gjithë kjo do të bëhet e mundur nëse rrini afër Shën Marisë, Nënës së Jezusit dhe Nënës sonë. Ajo do t’ju udhëheqë dhe do t’ju mbrojë dhe do t’ju ruajë Vetëm për Jezusin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.