2006-08-06 17:40:18

Sot dita e 25-të e konfliktit, ishte njëra nga më të përgjakshmet në Lindje të Mesme.


(6.8.06 RV)Luftimet nuk ndalet ne jug te Libanit.Një raketë hezbollahe vrau 10 izraelitë, kurse sulmi i aviacionit izraelit la rreth 8 libanezë të vdekur. Ndërkaq u bë e njohur se ushtria izraelite arrestoi një nga hezbollahët që kishte dorë në rrëmbimin e dy ushtarëve izraelitë në korrikun e shkuar, akt që shkaktoi edhe konfliktin në Lindje të Mesme. Sot paradite hezbollahët hodhën rreth 30 raketa mbi Kfar Xhiladi, ku dhjetë persona mbetën të vrarë. Katër të tjerë u plagosën rëndë, njoftuan burimet spitalore.
Po ashtu avionët izraelitë bombarduan dy kampe të Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës të mbështetur nga Siria, kurse mortajat e hezbollahëve goditën pikat e vrojtimit të paqëruajtësve UNIFIL duke plagosur tre ushtarë kinezë.

Nga fusha e diplomacisë, mbrëmë vonë Franca dhe SHBA-ës, pas shumë debatesh, arritën në Nju Jork, në selinë e OKB-së, një marrëveshje për armëpushim në Liban. Menjëherë kryeministri libanez Siniora shprehu pakënaqësinë e tij sepse marrëveshja nuk parashikon largimin e menjëhershëm të ushtarëve izraelitë nga Libani. Edhe hezbollahët deklaaruan se nuk do të pranojnë asnjë plan paqeje pa tërheqjen e plotë të ushtarëve të Tel-Avivit.

“Siria është e gatshme për një luftë rajonale të mundshme.” – deklaroi ministri i jashtëm sirian Valid Moalem gjatë vizitës së tij të sotshme në Bejrut. Më pas ministri sirian shtoi se marrëveshja franko-amerikane për paqen merr parasysh vetëm interesat izraelite. “Nëse Izraeli sulmon Sirinë nga toka apo nga ajri, udhëheqësi ynë ka dhënë urdhër për t’u kundërpërgjigjur menjëherë.”- tha mes tjerash ministri i jashtëm sirian. Deri tani Izraeli ka përsëritur publikisht disa herë se nuk ka ndërmend të sulmojë Sirinë.

Irani nuk do të marrë parasysh ultimatumin e Këshillit të Sigurisë së OKB-së për pezullimin e pasurimit të uraniumit brenda 31 gushtit. Autoritetet iraniane përsëritën edhe njëherë se nuk kanë ndërmend t’u binden rezolutave të Kombeve të Bashkuara mbi çështjen bërthamore. Përkundrazi Teherani kërcënoi se të 15-të vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit ka rrezik të përballen me rritjen e çmimit të naftës, që Irani ka ndërmend të zbatojë nëse i vihen sanksione ekonomike.
Nga ana tjetër, raporti më i fundit i OKB-së mbi ndalimin e një anije në Tanzani, që transportonte kontrabandë uranium 238 nga Kongoja në Iran, shton dyshimet e bashkësisë ndërkombëtare se Irani po përpiqet të prodhojë bombën atomike.







All the contents on this site are copyrighted ©.