Shenjtorët e javës së ardhshme:6 deri më 12 gusht.
Sot më 6 gusht, Kisha kremtoi festën e Shndërrimit të Zotërisë Jezu Krisht.
Petkat e tija u bënë të bardha porsi bora (Dn 7,9-10.13-14). Në fytyrën e tij shkëlqen
lavdia e Atit: Ps 96. Këtë zë, ne e kemi dëgjuar derisa zbriste nga qielli (2Pt 1,16-19).
Ky është Biri im – djali i Dishirit (Mk 9,2-10). Ngjarja kulmore e jetës publike
të Jezusit është Shndërrimi, sikur se pagëzimi ishte fillimi i jetës së tij publike
e të Ngjiturit në qiell, fundi. Për besimtarët, kjo ngjarje e Shndërrimit të Jezusit
është parashijimi e avancimi i Pashkëve dhe i lavdisë së jetës së amshuar.
Nesër
më 7 gusht, sipas kalendarit kishtar përkujtohet Shën Siksti II-të e shokët martirë;
Shën Gaetani e Anania. Vëne në gojën time, o Zot, fjalën e vërtetë. Të uritur
për dëgjim, njerëzit e ndjekin Jezusin kudo që ai shkon. Edhe me pesë bukë e dy peshqi,
Jezusi arrijnë të kënaq çfarëdo nevoje materiale e shpirtërore – pohon Ungjilli i
kësaj dite marrë nga Shën Mateut (Mt 4.13-21);
Të martën e ardhshme më 8
gusht, bie festa e Shën Dominikut, meshtar. Populli ytë, o Zot, e shpall
lavdinë tënde. Predikimi e lutja karakterizojnë stilin e Jezusit. Kush ka fe, kush
ka besim në të dhe ndjek gjurmët e tija, nuk mund të pushtohet nga frika, as në momente
e situata të vështira, madje as edhe në ato të pamundshme të jetës. Besimi në Zoti
është mbështetje e mburojë për njeriun që shpreson në Të.
Të mërkurën më
9 gusht, Kisha përkujton Shën Tereza Benedikta e Kryqit (Edith Stein), virgjër e martire,
bashkëpajtore e Evropës, shpallur nga Papa Gjon Pali II-të më 1 tetor të vitit
1999. Figurë e jashtëzakonshme, Shën Tereza-Benedikta e Kryqit ishte rregulltare karmelitane,
filozofe e thellë dhe shkrimtare e shkëlqyer. Kësaj shenjtëreshe e cila e flijoi
jetën e vet gjatë përndjekjeve naziste, i kërkojmë dhuratën për të mësuar të dialogojmë
me Hebrenjë e besimtarë të feve tjera. Në të luturit së bashku të Shpirtit Shenjtë
Zot, e nën frymëzimin e tij, ne e bëjmë Zotit të pranishëm në botë dhe i japim hapësirë
dashurisë së tij shpëtimpruese.
Të enjten e ardhshme më 10 gusht përkujtohet
Shën Lorenci, diakon e martir. Zoti e do njeriun që dhuron me gëzim, thotë
leximi i ditës marrë nga letra e dytë e Shën Palit drejtuar Korintianëve (2Kor 9,6-10).
Atë që më shërben, Ati Qiellor do ta nderojë, pohon Jezusi në pjesën ungjillore të
Shën Gjonit (Gjn 12,24-26). Shpirti i Zotit e sjell lirinë e vërtetë, atë liri që
arrihet me mundim në kërkimin e së vërtetës mbi veten tonë e mbi jetën tonë personale,
një liri që nuk përjashton përkufizimet, ligjet e detyrimet që burojnë nga përgjigjjia
që duhet t’i japim Zotit.
Të premten e ardhshme më 11 gusht bie festa e
Shën Kjares së Asizit, virgjër, e Shën Suzanes. Shpëtona o Zot, e dhurona jetën
e vërtetë. Kur do të vijë Biri i njeriut, secili do të gjykohet sipas veprave të bëra
(Dt 32,35-41). Cfarë mund të japë njeriu në këmbim të shpirtit të vet? (Mt 16,24-28). A
jemi duke vepruar për të ato të mira që prishen e kalojnë, apo punojmë për të shpëtuar
atë çka në ne është e pavdekshme? Pra, Fjala e Zotit na fton t’i përmbahemi udhës
ungjillore, udhës që na shpie në plotësinë e jetës.
Të Shtunën më 12 gusht,
kalendari kishtar përkujton Shën Gjovana Françeska e Shantalit, regulltare. “I
drejti do të jetojë në saje të fesë së vet në Zotin”, pojon leximi biblik i Meshës
së ditës marrë nga libri i Abakukut profet (Ab 1,12-2,4). Psalmi 9 shton: “Kush beson
në ty, o Zot, do ta ketë jetën”. Pjesa ungjillore nga Shën Mateu (Mt17,14-21) thotë:
nëse do të kesh fe, asgjë nuk do të jetë e pamundur”. Shpirti Shenjtë është gjallëruesi
i lirisë në kuptimin që na jepë guxim e fuqi për të zbatuar e mundësi për t’u bër
atë çka jemi të thirrur prej Zotit për të qenë.