2006-08-03 16:44:20

Papa i nxit besimtarët të vijojnë lutjen për paqe në Lindjen e Mesme.


RealAudioMP3 (3.8.2006 RV)Dje, në audiencën e përgjithshme, Benedikti XVI u bëri përsëri thirrje besimtarëve të mos lodhen s’i kërkuari Zotit dhuratën kryesore të harmonisë ndërmjet njerëzve në mbarë botën.
“Lutjet nuk janë të kota – pohon Papa – prandaj duhet të lutemi me gjithë shpirt, sepse lutja është arma jonë kryesore: është britmë që i drejtohet jo vetëm Zotit, por edhe njerëzve. Prandaj – shton Papa – të mos heshtim e të bëjmë të pamundurën që lutja jonë të arrijë në veshët e njerëzve të pushtetshëm, që të heshtin armët e të ndalohet menjëherë zjarri. Benedikti XVI e ngriti zërin që në fillim të konfliktit e kryesisht në lutjen e Engjëllit të Tënzot më 16 korrik në Lë Kombë, ku e shpjegoi kështu situatën e krijuar:
“Në origjinë, për fat të keq, janë situatat objektive të shkeljes të së drejtës dhe të drejtësisë. Por as aktet terroriste e as raprezaljet, nuk mund të përligjen, kur kanë pasoja tragjike për popullsitë civile. Siç na dëshmon përvoja e hidhur, me rrugë të tilla nuk mund të arrihen kurrë rezultate pozitive”
Papa shpreson që udhëheqësit politikë të kthehen në rrugën e arsyes, duke krijuar mundësi të reja dialogu e mirëkuptimi. Të dielën, më 23 korrik, gjithnjë gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në Vale D’Aosta, Papa e shpjegoi kështu qëndrimin e Selisë së Shenjtë:
“Shfrytëzoj rastin për të ripohuar të drejtën e libanezëve për integritetin dhe sovranitetin e vendit të tyre, të drejtën e izraelitëve për të jetuar në paqe në shtetin e tyre dhe të drejtën e palestinezëve për të pasur një atdhe të lirë e sovran”.
Më pas Benedikti XVI kujtoi viktimat e ndeshjeve të pamëshirshme, të cilat i dënoi përsëri:
“Jam posaçërisht pranë popullsive të pambrojtura civile, të përfshira padrejtësisht në një konflikt në të cilin janë thjeshtë viktima: pranë popullsive të Galilesë, që detyrohen të jetojnë ndër strehime, ashtu si pranë shumicës së libanezëve, që shohin si shkatërrohet përsëri vendi i tyre e që detyrohen të braktisin gjithçka, për të kërkuar shpëtim gjetiu”.
Benedikti XVI përsërit thirrjen drejtuar të gjitha organizatave bamirëse që të japin ndihmesën e tyre, në mënyrë që popullsitë e tronditura nga lufta ta shikojnë konkretisht shprehjen e solidaritetit të përbashkët. Të dielën, më 30 korrik, nga Kastel Gandolfo vërejti me hidhërim se në zemrat e shumë njerëzve po shtohet urrejtja e dëshira për hakmarrje. Këto fakte tregojnë qartë se me dhunë nuk mund të zbatohet drejtësia, të krijohet një rend i ri e të ndërtohet paqja e vërtetë. E, prej këndej Papa ia besoi pajtimin ndërmjetësimit të Marisë, Nënë e Princit të Paqes e Mbretëreshë e Paqes, që nderohet aq shumë në një pjesë të mirë të vendeve të Lindjes së Mesme ku – ripohoi Shenjtëria e Tij – shpresojmë të mbretërojë së shpejti ai pajtim, për të cilin Zoti Jezus flijoi Gjakun e tij të çmuar.
Së fundi dje, në Sheshin e Shën Pjetrit, i ftoi rishtas besimtarët të vijojnë me kambëngulje lutjen, duke mos e fshehur tronditjen e thellë:
“Sytë tanë janë plot me pamjet rrënqethëse të trupave të coptuar të shumë njerëzve, posaçërisht të fëmijëve – e mua më shkon mendja sidomos në Kanë, në Liban. Dëshiroj të përsëris se asgjë nuk mund ta përligjë derdhjen e gjakut të pafajshëm, kushdo qoftë ai që e derdh. Me zemrën e këputur nga dhimbja, përsëris thirrjen për t’i dhënë menjëherë fund konfliktit e dhunës, ndërsa nxis bashkësinë ndërkombëtare si dhe të gjithë ata që lidhen drejtpëdrejtë me këtë tragjedi, të përcaktojnë sa më shpejt kushtet e nevojshme për zgjidhjen politike të krizës, në mënyrë që t’u dorëzohet një ardhmëri më e qetë e më e sigurtë breznive të reja”. 







All the contents on this site are copyrighted ©.