2006-08-02 17:02:30

Papa në audiencën e përgjithshme, para 40 mijë ministrantëve, i bëri thirrje botës të punojë për paqen, duke i dhënë fund masakrave në Tokën Shenjte.


(2.8.2006 RV)Në audiencën e parë të përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, pas pushimeve në Vale D’ Aosta, Benedikti XVI u lut përsëri për përfundimin e dhunës në Tokën Shenjte, duke nxitur impenjimin e diplomacisë ndërkombëtare. Ati i Shenjtë përshëndeti përzemërsisht 40 xhakojtë e pranishëm në audiencë, ardhur në Romë me rastin e shtegtimit evropian të ministrantëve.
“Paqe për zonën e dashur e të martirizuar të Lindjes së Mesme, nga e cila arrijnë çdo ditë pamje rrënqethëse”. Britma e Benediktit XVI, pas thirrjes të së dielës së kaluar në Engjëllin e Tënzot, pati një jehonë të re, të fuqishme, sot paradite edhe në Sheshin e Shën Pjetrit, gjatë audiencës së parë të përgjithshme pas pushimeve në Lë Kombë. Me këtë thirrje plot emocion e përfundoi Papa audiencën e sotme, kushtuar shtegtimit evropian të ministrantëve – në gjuhën familjare xhakoj – të cilët Papa i quajti të rinj të lidhur me Krishtin me një miqësi të posaçme, sipas shembullit të Apostujve.
Vetëm shtatëdhjetë e dy orë më parë Benedikti XVI kërkoi të heshtin armët, duke shtuar edhe ndajfoljen “menjëherë”! Sot, në Sheshin e Shën Pjetrit, përsëriti me këmbëngulje: ‘T’i jepet fund dhunës, t’i jepet fund flijimit të përditshëm të njerëzve, që nuk kursen as fëmijët, e t’i hapet rruga ndërmjetësimit ndërkombëtar, për t’i kthyer ardhmërinë e qetë Tokës Shenjte.
“Sytë tanë janë plot me pamjet rrënqethëse të trupave të coptuar të shumë njerëzve, posaçërisht të fëmijëve – e mua më shkon mendja sidomos në Kanë, në Liban. Dëshiroj të përsëris se asgjë nuk mund ta përligjë derdhjen e gjakut të pafajshëm, kushdo qoftë ai që e derdh. Me zemrën e këputur nga dhimbja, përsëris thirrjen për t’i dhënë menjëherë fund konfliktit e dhunës, ndërsa nxis bashkësinë ndërkombëtare si dhe të gjithë ata që lidhen drejtpëdrejtë me këtë tragjedi, të përcaktojnë sa më shpejt kushtet e nevojshme për zgjidhjen politike të krizës, në mënyrë që t’u dorëzohet një ardhmëri më e qetë e më e sigurtë breznive të reja”.
Audienca e sotme e përgjithshme filloi në një atmosferë shumë të hareshme, krijuar nga prania, nën një diell përvëlues, e 42 mijë ministrantëve të ardhur në Romë nga vende të ndryshme të Evropës. Udhëheqësi i ministrantëve, Imzot Martin Gatsher, ipeshkëv-ndihmës i Bazelit në Zvicër, ia paraqiti Papës të rinjtë dhe përvojën e tyre të veçantë në shërbim të elterit. Në këtë shërbim Benedikti XVI – që kishte vënë shallin e bardhë të ministrantit e që foli në gjuhën gjermane për nder të 35 mijë ministrantëve të ardhur vetëm nga Gjermania – pa shenjën e një miqësie të posaçme me Jezusin i cili niset prej elterit, për të hyrë ndër të gjitha mjediset e jetës: nga familja në shkollë, nën shenjën e Ungjillit:
“Të dashur miq, ju në të vërtetë jeni apostuj të Jezusit! Kur merrni pjesë në liturgji duke i shërbyer elterit, ju u jepni të gjithëve një dëshmi. Sjellja juaj e përqëndruar, devocioni që niset nga zemra e shprehet në gjeste, në këngë, në përgjigje, e gjithë kjo është apostullim. Është lidhje miqësie që e ka burimin e vet e kulmin e vet tek Eukaristia. Ju jeni shumë pranë Jezusit Eukaristi, e kjo është shenja më e madhe e miqësisë së Tij për juve. Mos e harroni!”
Pas ndërprerjes, për shkak të periudhës së pushimeve valdostane, Benedikti XVI rifilloi sot, të paktën shpirtërisht, katekizmin e tij mbi lidhjen ndërmjet Apostujve e Kishës, për të vënë në dukje se ministrantët nuk janë tjetër, veçse dishepuj të vegjël që Krishti, njëlloj si shokët e vet, nuk i quan “shërbëtorë, por miq”. Është një miqësi të cilën e ka provuar edhe Jozef Racinger i ri i cili, në vitin 1935 niste, duke ndihmuar Meshë, një rrugë shumë të gjatë, që do ta çonte në fronin e Shën Pjetrit. Një kujtim personal ky, që u pasua nga një këshill: të mos shërbejnë çkujdesshëm, por të dëgjojnë zërin e Zotit, që buron nga elteri. Ta dëgjojnë me vëmendje e të jenë të gatshëm t’i përgjigjen, në se i thërret të ecin në rrugën e meshtarisë. Ta dëgjojnë me besim, cilado qoftë rruga e thirrjes së tyre, sepse Jezusi dëshiron të lidhë edhe me ta një miqësi të ngushtë:
“Miqësia me Jezusin është dhurata më e bukur e jetës - u tha Papa ministrantëve - e ju keni gëzimin ta thelloni sa herë kryeni shërbimin tuaj në liturgji. Qëndrojini përherë besnikë kësaj miqësie, duke lexuar e duke medituar Ungjillin, duke u ushqyer me Eukaristinë e duke u gjunjëzuar në adhurim para Tabernakullit. Kështu do të bëheni dishepuj të vërtetë të Zotit, të gatshëm për t’iu përgjigjur me gëzim e besim thirrjes së tij, posaçërisht në se ju kërkon të lini gjithçka për t’u bërë, së bashku me Të, peshkatarë njerëzish. Ministrantë të dashur, lutem për juve, që të jeni përgjithnjë miq e apostuj të Jezusit”.
(Muzikë)
Përveçse në gjermanisht e në italisht, Papa i përshëndeti ministrantët edhe në 11 gjuhë të tjera. Përshëndeti edhe të rinjtë pjesëmarrës në Kampionatin botëror të Tvirlingut si dhe grupin që u nis për shtegtim me biçikletë nga Lurago d’Erba në Jeruzalem, organizuar nga Vepra e Don Guanelës. Uroj që edhe kjo nismë – theksoi Papa – të ndihmojë për kauzën e paqes në Tokën Shenjte, e cila po vuan aq shumë këto ditë nën breshërinë e armëve. Në përfundim Ati i Shenjtë u ndalua një copë herë me shtegtarët në Sheshin e Shën Pjetrit, para se të rikthehej në Kastel Gandolfo.
(Muzikë)
E veçanta e kësaj audience, që do të mbetet në kujtesën e turmës vigane të të rinjve evropianë, ishte atmosfera më e nxehtë se dita e verës, në të cilën u mbajt takimi i sotëm i Papës me miqtë e Krishtit rreth elterit. Sheshi i lashtë i Shën Pjetrit, i përtëritur nga gjithë ai gjak i ri, ushtoi nga këngët, brohoritjtet, duartrokitjet.
Ishte një festë ngjyrash e tingujsh, e organizuar nga të rinjtë - për Papën. Valëviteshin në të katër anët flamujtë, shumica gjermanë, në duart e mijëra ministrantëve ardhur tek Varri i Shën Pjetrit për të reflektuar mbi dëshminë e tij të fesë e, gjatë shtegtimit, natyrisht, medituan për shërbimin që do të kryejnë të dielën e ardhshme në elter.
Ja si shprehet një nga të rinjtë në mikrofonin tonë:Përgjigje: - Ishin dy ditë të ngarkuara me veprimtari. E kaluam bukur këtu. Jetuam çaste që na e përtrinë fenë tonë e impenjimin tonë për t’i shërbyer elterit.







All the contents on this site are copyrighted ©.