2006-08-02 17:36:06

Lajme shoqërore-politike: 2 gusht


(02.08.2006 RV) Siç thamë më lart, sot Ati i Shenjtë Bendikti XVI bëri thirrje përsëri për armëpushim në Lindje të Mesme. Por gjendja në terren mbetet e rëndë. Pas pezullimit 48-orësh të sulmeve ajrore, ushtria izraelite rifilloi sot një ofensivë në shkallë të gjerë kundër hezbollahëve, e këta të fundit u përgjegjën me katjushka. Burimet zyrtare izraelite njoftuan se hezbollahët lëshuan më shumë se 190 raketa që goditën qytetet: Naharia, Safet, Tiberias, Kyriat Shmona, Karmiel, Maalot dhe Galilele e Epërme. Si pasojë një ushtar izraelit mbeti i vrarë. Pati edhe 15 të plagosur ndër civilët, por asnjë në gjendje të rëndë. Që nga dita e fillimit të luftës hezbollahët kanë hedhur mbi Izrael rreth 1000 katjushka.


Parashutistët izraelitë në një aksion kundër një qendre hezbollahësh afër kufirit libanezo-sirian vranë dhjetë terroristë dhe zunë rob pesë të tjerë. Bëhej fjalë për një spital të braktisur, që hezbollahët përdornin si pikë strehimi. “Nuk ishte spital, as nuk kishte pacientë të shtruar. Ishte vetëm një bazë terroristësh.” Kështu e cilësoi këtë rast kryeministri Olmert. Tani për tani në kufirin libanezo-sirian gjenden 25 mijë ushtarë izraelitë, që deri më sot kanë asgjësuar 300 nga dy mijë luftëtarët që lëvizja hezbollahe mendohet të ketë në këto anë.


“Edhe sikur operacionet luftarake të përfundonin nesër mund të them se situata në Lindje të Mesme ka ndryshuar përgjithmonë.” Me këto fjalë e shpjegoi gjendjen aktuale kryeministri Ehud Olmert. Por kërcënime të reja i kanosen Tel-Avivit, këtë herë nga Irani. Dje Ajatollah Kamenei u kërkoi të gjithë myslimanëve t’i rezistojnë ushtrisë izraelite dhe SHBA-ës.


Gjendja është shumë e nderë edhe në Siri. Damasku, që akuzohet nga Izraeli si furnizues i hezbollahëve me armë, ka vënë në gatishmëri aviacionin dhe këmbsorinë. Udhëheqja politike siriane mendon se akuzat ndaj saj mund të shërbejnë si shkak për një sulm të mundshëm. Por një sulm ndaj Sirisë do të përfshinte në mënyrë të pashmangshme edhe Iranin, i cili para një muaji nënshkroi një aleancë ushtarake me Damaskun.


Ndërrojmë temë. Pas shtrimit në spital të Fidel Kastros dhe kalimit të pushtetit në duart e të vëllait, Raulit, e gjithë bota po ndjek me ankth zhvillimet politike në Kubë. Sidoqoftë në komunikatën e dhënë dje për shtypin, udhëheqësi komunist Kastro shpejtoi të deklarojë se gjendja e tij shëndetësore është e qëndrueshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.