2006-08-01 17:32:13

“E Lumja Nënë Tereze, flakë e dashurisë”.


(1.8.2006 RV)Filloi sot një muaj i ri, që na kujton një nga figurat më të ndritura të Kishës Katolike universale dhe të popullit shqiptar: Nënë Terezën, përvjetorin e 96-të ditëlindjes të së cilës do ta përkujtojmë së shpejti. Lindur më 26 gusht 1910 në Shkup, qytet i vendosur në udhëkryq të historisë së Ballkanit, shpallur e Lume më 19 tetor 2003, arriti cakun e fundit të jetës më 5 shtator 1997. E përmblodhi jetëshkrimin e saj me këto fjalë: "Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit".
Për t'iu përgjigjur sa më mirë si nevojave fizike, ashtu dhe atyre shpirtërore të të varfërve, më 7 tetor të vitit 1950 themeloi Kongregatën e Misionareve të Bamirësisë; më 1963 - Vëllezërit Misionarë të Bamirësisë; më 1976, degën kundruese të motrave; më 1979, Vëllezërit kundrues dhe më 1984, Etërit Misionarë të Bamirësisë. Gjithsesi frymëzimi i saj nuk u kufizua vetëm në njerëzit e thirrur për jetë rregulltare. Organizoi Bashkëpunëtorët e Nënë Terezës dhe Bashkëpunëtorët e Sëmurë dhe të Munduar, njerëz të feve e të kombësive të ndryshme, me të cilët u bë një në lutje, thjeshtësi, flijim dhe në apostullimin e saj që shprehej me vepra të përvuajtura bamirësie. Kjo frymë e shtyu të themelonte më pas Misionarët Shekullarë të Bamirësisë. Duke iu përgjigjur kërkesës së shumë meshtarëve, më 1991 Nënë Tereza themeloi edhe Lëvizjen e Korpit të Krishtit për Meshtarë, si "rrugë e vogël që i çon në shenjtërim" ata, të cilët ishin një mendje me karizmën dhe me shpirtin e saj.
Më 1979 u vlerësua me Çmimin e rëndësishëm Nobel për Paqen.
Gjithë jeta dhe vepra e Nënë Terezës është dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria, e madhështisë dhe e dinjitetit të çdo njeriu, e vlerës së gjërave të vogla të bëra me besnikëri e me dashuri, e sidomos, e vlerës së pakrahasueshme të miqësisë me Zotin, që lidhet e ushqehet përmes lutjes së vazhdueshme, duke e shndërruar kështu njeriun në flake dashurie. Prandaj e titulluam kështu rubrikën e re kushtuar Nënë Terezës të cilën, duke pasur mirë parasysh rrethanat e këtij takimi të shkurtër radiofonik, po e fillojmë me një lutje drejtuar Jezusit për paqen, për ta vijuar me lutje të tjera të dashura për Nënë Terezën, disa nga të cilat të krijuara prej saj:

Jezus i kryqëzuar e i ngjallur, rri me ne!”
“Rri me ne, mik besnik e mbështetje e sigurtë
e njerëzimit në shtegtim nëpër rrugët e botës!
Ti, Fjalë e gjallë e Atit,
jepu shpresë e besim atyre që e kërkojnë
kuptimin e vërtetë të jetës së tyre.
Ti, Bukë e jetës së pasosur, ushqeje njeriun
e uritur për vërtetësi, për liri, për drejtësi, për paqe.
Rri me ne, Fjalë e gjallë e Atit,
mësona fjalë e gjeste paqeje:
paqe për tokën e shuguruar nga gjaku yt;
paqe për Vendet e Lindjes së Mesme,
ku vijon të rrjedhë gjaku rrëké:
paqe për mbarë njerëzimin, mbi të cilin varet përherë
rreziku i luftërave vëllavrasëse”.







All the contents on this site are copyrighted ©.