2006-08-01 17:37:56

Në Liban vazhdon sulmi i këmbësorisë dhe i aviacionit izraelit: në mikrofonin e Radio Vatikanit, Atë Pjerbatista Picabala, Rojtar i Tokës Shenjte


(1.8.2006 RV) Në komunikatën më të fundit që vjen nga fronti libanez ushtria izraelite bëri të ditur se gjatë ditës së sotme u vranë apo u plagosën në luftime rreth 20 luftëtarë hezbollahë. Nga ana tjetër, hezbollahët e përgënjeshtruan lajmin duke lajmëruar se të vrarët ishin vetëm tre. Ndërkohë diplomacia ndërkombëtare po përpiqet pa sukses të gjejë një rrugëdalje.


“Ofensiva e këmbësorisë izraelite synon përgatitjen e terrenit për zbarkimin e një force shumëkombëshe në kufirin izraelo-libanez.” Sipas kryeministrit Ehud Olmert ky është objektivi i sulmeve të fundit. Synohet pra që hezbollahët të shtyhen përtej lumit Litani, 30 km nga kufiri izraelit. Shpresat për paqen duken ende të largta, ndërsa në Iran Ajatollah Janati u bëri thirrje vendeve arabe që të furnizojnë me armë e municion hezbollahët. Gjithashtu sulmet ajrore izraelite që duhet të ishin pezulluar për 48 orë, vazhduan edhe sot. Po ashtu sulmet e aviacionit vijojnë edhe në Rripin e Gazës.
Por më hollësisht mbi situatën në Tokën Shenjte në mikrofonin e Radio Vatikanit flet Atë Pjerbatista Picabala, rojtar i Tokës Shenjte:


Përgjigje: Para së gjithash duhet thënë se Vendet e Shenjta janë të gjitha të paprekura dhe se nuk ka dëme. Porse atmosfera është shumë e trishtueshme sepse janë pothuajse bosh. Gjithçka është ndalur. Vendet janë të hapura por janë bosh. Nuk ka shtegtarë, nuk ka turistë, nuk ka njerëz. Vendi është ndalur dhe bllokuar.

Pyetje: Atë Picabala na ndihmoni të kuptojmë diçka. Ju ç’ide keni krijuar mbi këtë krizë ndërmjet Izraelit, hezbollahëve dhe Libanit?


Përgjigje: Një ide të turbullt, si të gjithë sigurisht. Është shumë e vështirë të nxjerrësh përfundime, sepse kur e sheh këtë situatë nga këndvështrime të ndryshme gjithnjë dikush ka të drejtë e tjetri gabon. Para së gjithash duhet thënë se Izraeli reagoi me një forcë dhe një fuqi të papritur, që sigurisht ngren shumë pyetje. Masakra e së dielës është një shembull i kësaj. Është e dukshme pastaj se me armë nuk arrihet në një përfundim.







All the contents on this site are copyrighted ©.