2006-08-01 17:20:07

Lajme nga Kisha në botë:


(1.7.2006 RV)Në gjithë Evropën merren nisma të reja lutjeje për paqen në Lindjen e Mesme.
Sipas agjensisë Fides, dioqeza e Paislit, sufragane e Glasgout në Britaninë e Madhe, është impenjuar të lutet deri sa të heshtin armët e të rifillojë jeta në paqe. Të gjitha famullitë mblidhen çdo ditë për një çast lutjeje kushtuar paqes.
Në Francë Pax Kristi lutet për ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare me bindjen se kjo ndërhyrje është detyrë humanitare.
Komisioni i Drejtësisë dhe çështjeve shoqërore i Konferencës ipeshkvnore të Irlandës, kërkon nga qeveria irlandese të dërgojë menjëherë ndihma humanitare atje ku ka më shumë nevojë, ndërsa dënon hapur veprimtarinë terroriste të hezbollahëve dhe të vendeve që i mbështesin, pa e përligjur përgjigjen izraelite pas rrëmbimit të dy ushtarëve.
Për konflktitn është shprehur edhe Konferenca e Kishave evropiane (Cec-Kek) që i fton të gjithë të luten për paqen në mënyrë të posaçme më 6 gusht, ditë kur mbushen 61 vjet nga shpërthimi i bombës atomike mbi Hiroshimën, gjë që i kujton vazhdimisht mbarë njerëzimit rrezikun gjithnjë aktual të luftës bërthamore.

Kishat lindore, katolike e ortodokse, filluan sot periudhën e lutjeve dhe të agjërimit, për t'u përgatitur kështu për festën e "Fjetjes së Virgjërës Mari", të cilën Kisha bizantine e konsideron si "Pashkët e Nënës së Zotit".
Në Romë, në Bazilikën e Shën Marisë në rrugën Lata, nisi oficja mariane e Paraklisis, një rit i lashtë me lutje drejtuar Nënës së Zotit. Kanë si qëllim përgatitjen shpirtërore të besimtarëve për festën, kremtuar nga mbarë Kisha universale që në lashtësi si festa më e madhe e Zojës së Bekuar. Do të ketë kremtime të përditshme mariane me lutjet karakteristike të liturgjisë bizantine, ndërsa kremtimi solemn do të mbahet natën e festës të të ngjiturit të Zojës së Bekuar në qiell, më 14 gusht, në bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe.
Ky Solemnitet është një nga më të dashurit për devocionin popullor. Na kujton të ngjiturit e Virgjërës Mari në Qiell me shpirt e korp, ashtu siç ka besuar gjithnjë Kisha, që nga zanafilla e saj e ashtu si, më pas, Piu XII e shpalli solemnisht më 1 nëntor 1950.

Me një Meshë në bazilikën patriarkale të Shën Marisë së Engjëjve në Porciunkola të Asizit, Eprori i Përgjithëm i Fretërve të vegjël Atë Hosè Rodriguez Garbalo hapi sot paradite kremtimet për Solemnitetin e Ndjesës së Asizit. Nga mesdita e sotme deri në mesnatën e 2 gushtit, mund të fitohet ndjesa e plotë e Porciunkolës. Festa e merr emrin nga kishëza, që ndodhet në Asizi të Italisë, ku Shën Françesku më 1216 iu lut Zotit t'ua falë të gjitha fajet e mëkatet besimtarëve që do ta vizitonin kishëzën më 1 e 2 gusht, të penduar e të rrëfyer.
Për ta fituar këtë ndjesë, mund të vizitohet Kisha françeskane më e afërt, ose kisha e caktuar për këtë kremtim, që i siguron besimtarit të penduar fillimin e një jetet të re, jetës së Zotit tonë Jezu Krishtit në jetën tonë.
Kanë kaluar qindra vjet që nga koha kur Ndjesa e Porciunkolës u kremtua për herë të parë, por festa vijon të jetohet me pëshpirtëri të thellë, sepsè vlera e mëshirës hyjnore është e amshuar.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.