2006-08-01 17:18:16

Dom Ndre Mjeda, Mësues Feje e Poezie - në 69 vjetorin e vdekjes.


(1.8.2006 RV)Sot u mbushën 69 vjet nga vdekja e poetit të madh, Dom Ndre Mjedës (1866 – 1937). I mbylli sytë në Shkodër, më 1 gusht 1937, pas një veprimtarie të palodhur fetare, kulturore e atdhetare. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ishte nismëtar për formimin e Komisisë letrare, themeloi shoqërinë kulturore "Agimi", punoi shumë për gjuhën shqipe, shkroi poezitë e përmbledhura në "Juvenilja", ndërmjet të cilave shkëlqejnë poemthat "Andrra e jetës", "Vaji i bylbylit", "Liria", "Lisus", "Skodra"…
Në një ditë si kjo, ia vlen jo vetëm të kujtosh artin e tij, por, mbi të gjitha, të mendosh sesi mund të nxirren në dritë thesare ende të pa zbuluara të krijimtarisë së tij. Nuk është aspak e çuditshme që edhe veprat e Mjedës, ndonëse i vetmi klerik katolik i pranuar ndërmjet shkrimtarëve që studioheshin ndër shkolla, gjatë periudhës së diktaturës, iu nënshtruan çensurës. Këtë fat patën kryesisht veprat me karakter fetar edhe disa krijime më pak të njohura poetike si “Majerling”, “Bija e verbtë ç’prei t’lémi”, dhe “Kânga e Mahmud Pashës”, botuar (ndërmjet poezive të tjera të Mjedës në Shahiri Elierz. Do bejta qi ka qít N. M. i S.J.) si shtojcë e një flete fetare nga Jak Junku në Kulshedra e Shpirtit, zblue t’rijve prei P. J. Junkut t’Shoqnís Jezu. Deri më sot nuk kemi një përmbledhje të veprave të Mjedës në prozë, studimet e tij për shkrimtarët e vjetër të Veriut dhe sidomos librat si “Jeta e shejtit sh’Njon Berchmans”, “T’pergiamit e Zojs Bekueme”, “Katekizmi i madh” në tre vëllime, “Historija Shêjte”.
Janë vepra që mbushin një zbraztësi të madhe në historinë e letërsisë shqipe, ku mungon plotësisht studimi i veprave me karakter hagjiografik, dmth tregimeve mbi jetën e shenjtorëve. Një nga veprat e munguara të Mjedës, me vlera të mëdha studimore në lëmin e gjuhës shqipe e sidomos të terminologjisë fetare, është oficja “Vizari Shpirtënuer”, punuar nga poeti-meshtar në bashkëpunim me fratin françeskan, Atë Benedikt Dema, pa kujtuar këtu letërshkëmbim tepër të pasur të Priftit-poet e gjuhëtar.
Në përvjetorin e vdekjes së tij, Dom Ndre Mjeda na flet përsëri për veprën e tij të palodhur në dobi të fesë e të kombit, me të cilën është marrë plot përkushtim individual studiuesi Mentor Quku, i cili vijon të botojë vëllime të reja mbi gjithçka ka lidhje me emrin e madh të Ndré Mjedës.
Sot, Ndré Mjeda pati përvjetorin e vdekjes. Të shpresojmë se kjo ngjarje nuk do të kalojë në harresë, ashtu si kaloi 81- vjetori i lindjes së nënësit të tij të madh, Martin Camajt, që vijoi rrugën letrare të cilën një plejadë yjesh të letrave shqipe e patën nisur në bankat e Kolegjit Saverian të Etërve Jezuitë në Shkodër, ku patën mësues feje, gjuhe shqipe e poezie - Dom Ndré Mjedën.







All the contents on this site are copyrighted ©.