2006-07-29 12:51:13

Korriku, muaj pushimi por edhe impenjimesh të rëndësishme për Papën Benedikti XVI.


(30.7.06 RV)Sot Papa Benedikti XVI e kremtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot në Kastel Gandolfo, duke mbyllur kështu një muaj të ngarkuar me ngjarje, i cili nisi me Takimin botëror të Familjeve në Valencia të Spanjës, që pati në qëndër të vëmendjes transmetimin e fesë në vatrën familjare në aspekte nga më të ndryshmet - e u mbyll me shqetësimet e rënda të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Ndërmjet këtyre ngjarjeve, kujtojmë se më 11 korrik, Benedikti XVI u nis për në Vale d’Aosta e pikërisht në selinë e Lë Kombë, për një periudhë pushimi, që zgjati deri më 28 korrik. Atje e tha dy të diela me radhë edhe lutjen e Engjëllit të Tënzot. Pjesën tjetër të verës, sipas traditës, Ati i Shenjtë do ta kalojë në Kastel Gandolfo. Gjatë kësaj periudhe janë ndërprerë të gjitha audiencat private e të posaçme, ndërsa audiencat e përgjithshme do të rifillojnë rregullisht më 2 gusht.
Në harkun e këtij muaji dolën përsëri në plan të parë disa nga problemet më të mprehta të epokës, që kanë të bëjnë me jetën e Kishës e të shoqërisë.
Papa vuri në qëndër të vëmendjes rolin e laikëve në jetën dhe në misionin e Kishës dhe i ftoi gjithë të krishterët ta ndjejnë fuqimisht përgjegjësinë e tyre për cilësinë e jetës kulturore dhe shoqërore, në një mjedis ku shekullarizimi krijon kërcënime të reja për jetën e për dinjitetin e njeriut, duke nisur nga sulmi mbi embrionet, sulmi mbi familjen e mbi jetën në përendimin e saj e deri tek sulmi i terrorizmit, në emër të një bote që synon të sigurojë lirinë pa cak. Por, na mëson Papa, vlera e familjes dhe e jetës njerëzore duhen mbrojtur me forcë. Nuk mund të hiqet dorë prej tyre, sepse janë shpirt i popujve. Prandaj Benedikti XVI në takimin e Valencies, ritheksoi rolin qëndror që ka, për Kishën dhe shoqërinë, familja e themeluar mbi martesën, si institucion i pazëvendësueshëm. Prej këndej, Kisha nuk do të pushojë kurrë s’e theksuari e s’e promovuari vlerën e saj themelore. E tani, kur ka kaluar gati një muaj nga takimi, Kisha po shfrytëzon frytet e tij, duke vijuar pa u lodhur veprimtarinë baritore familjare ndër dioqeze, në mënyrë që në çdo shtëpi të hyjë mesazhi ungjillor, i cili forcon shpirtin e i jep përmasa të reja dashurisë, duke e ndihmuar familjen për t’i kapërcyer vështirësitë që ndesh çdo ditë jeta njerëzore.
E kërcënimi kundër jetës njerëzore u ndje konkretisht pa filluar mirë Takimi botëror i Familjeve, në aksidentin e metrosë së Valencies, gjatë të cilit humbën jetën 41 vetë. Prandaj sapo arriti në Valencia, Benedikti XVI, pasi dënoi atentatin dhe ushtrimin e dhunës, u ndal për t’u lutur tek vendi i aksidentit, në një atmosferë emocioni e entuziazmi.
Nga Valencia Papa i ftoi të gjithë besimtarët katolikë ta pohojnë haptazi atë në të cilën besojnë, detyrë kjo për çdo njeri, ndërsa për Papën - mision. Larg çdo polemike, Ati i Shenjtë bëri të qartë atë që po vihet në lojë. E në lojë është një nga vendet themelore, madje vendi i zanafillës të përvojës së dashurisë e prej këndej edhe i cilësisë dhe i mirësisë së marrëdhënieve njerëzore. I ftoi, prandaj, qeveritarët edhe ligjvënësit të reflektojnë për të mirën që i sigurojnë njeriut, familjes dhe shoqërisë, vatrat të cilat janë në paqe e në harmoni dhe ta shikojnë familjen si ndihmë që i jepet shoqërisë, e cila nuk mund të bëjë pa të.
E përfaqësuesit e mbarë familjeve të botës iu përgjigjen ftesave të Atit të Shenjtë me brohorinë: “Benedicto amigo la familia esta contigo” – Benedikt mik, familja është me ty.
Një ngjarje tjetër e rëndësishme është ajo e 11 korrikut, kur Papa emëroi Atë Federiko Lombardin Drejtor të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë në vendin e Doktor Joakin Navarro-Vall i cili e lë detyrën pas 22 vjet shërbimi të gjatë e fisnik. E Atë Lombardit, që është edhe drejtor i përgjithshëm i Radios sonë si dhe i Qëndrës Televizive të Vatikanit, iu desh ta niste detyrën e re me ngjarjen e hidhur të Bombeit në Indi, ku gjatë disa atentateve terroriste gjetën vdekjen 190 vetë, ndërsa 600 të tjerë u plagosën.
E menjëherë më pas, dhimbja e thellë për viktimat e cunamit që goditi ishullin indonezian të Javës, duke shkaktuar – sipas bilancit të fundit - së paku 525 të vdekur për të cilët Benedikti XVI u shprehu familjarëve ngushëllimet më të ndjera.
Nuk iu ndanë shqetësimet Atit të Shenjtë këto ditë pushimi në Vale D’Aosta, gjatë të cilave pati në qendër të vëmendjes zhvillimet e situatës në Lindjen e Mesme. Pas thirrjeve të fuqishme për paqe të Papës në lutjet e fundit të Engjëllit të Tënzot, si dhe të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Sodano, e pas kremtimit të Ditës së lutjes e të pendesës të dielën e kaluar, nga Lë Kombë Benedikti XVI i shikoi me besim e shpresë përpjekjet diplomatike për paqen në Lindjen e Mesme, që arritën një nga kulmet me konferencën e Romës, të mërkuren e kaluar. Të martën e kaluar, duke vizituar shenjtëroren mariane të Zojës së Bekuar, në shpatet e Malit të Bardhë, Papa u lut për popujt e tronditur rëndë nga kjo luftë e re. E, në takimin e zakonshëm me gazetarët, duke u kthyer në Lë Kombë, i ftoi besimtarët të luten edhe më shumë që të arrihen rezultate reale e konkrete për paqen dhe zgjidhjen e problemeve, duke shpresuar të shkohet deri në rrënjën e këtyre problemeve, deri tek rrugëzgjidhja e qëndrueshme e afatgjatë. Papa lutet e njëkohësisht ndjek me vëmendje të madhe ngjarjet, në lidhje të vazhdueshme me Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit dhe me Nunciaturat. Nuk është, prandaj, e rastit pjesëmarrja e delegacionit të Selisë së Shenjtë, të kryesuar nga sekretari për marrëdhëniet me shtetet, Imzot Gjovani Lajolo në Konferencën e Romës për Libanin, e as reagimi i sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Sodano për përfundimin e kësaj Konference. Hirësia e Tij, pasi u takua me kryeministrin libanez, në një intervistë dhënë gazetës italiane “Corriere della Sera” nuk e fsheh zhgënjimin e Selisë Apostolike, e cila shpresonte shumë në impenjimin për armëpushimin e menjëhershëm, që duhet të ishte hapi i parë drejt paqes. Por kardinali vlerësoi pozitivisht impenjimin humanitar të Konferencës së Romës. Jemi përpara një problemi humanitar tepër të rëndë, që mund të zgjidhet vetëm me bashkëpunimin e të gjithë njerëzve vullnetmirë. Duhet shpëtuar edhe integriteti i Libanit, por sidoqoftë së pari do të mendojmë për jetën e njerëzve – tha kardinali- i cili theksoi në mënyrë të veçantë vëmendjen me të cilën Papa ndjek hap pas hapi zhvillimin e ngjarjeve.
Me porosinë e Atit të Shenjtë, Cor Unum, Karitasi i Papës, u vu menjëherë në lëvizje për të mundësuar hapjen sa më të shpejtë të një korridori humanitar, duke krijuar kështu kushtet për arritjen e ndihmave humanitare atje ku ka më shumë nevojë. Kjo, për të nënvizuar një aspekt të lutjes, që shprehet edhe përmes bamirësisë aktive, bamirësi e cila nuk bën dallime ndërmjet atyre që vuajnë, por i ndihmon të gjithë njëlloj, sepse të gjithë janë vëllezër.
Në rrethana të tilla tingëllon tepër aktuale tema “Njeriu është zemra e paqes”- zgjedhur nga Benedikti XVI këto ditë të nxehta korriku për Ditën e 40-të Botërore të Paqes që, sipas traditës, do të kremtohet më 1 janarin e ardhshëm.
Por korriku nuk shënoi vetëm ngjarje të hidhura.
Në Planin ekumenik gjatë këtij muaji, u bënë dy hapa me rëndësi të veçantë përpara.
Së pari kujtojmë punimet e takimit të udhëheqësve fetarë me temë “Përgjegjësia e feve për mbrojtjen e vlerave shpirtërore e morale” mbajtur në Moskë në ditët e para të muajit. 200 përfaqësues të feve të ndryshme shkëmbyen mendime për rolin e fesë në shoqërinë e sotme, për përgjegjësinë që kanë fetë në mbrojtjen e vlerave shpirtërore e morale, në shërbim të ndërtimit të një bote më të mirë, për luftën kundër terrorizmit dhe fanatizmit, por edhe për respektimin e ndjenjave fetare, për veprimtaritë kishtare në luftën kundër varfërisë, për mbrojtjen e mjedisit, për partneritetin ndërmjet qytetërimeve, globalizimin, rendin botëror, dialogun ndërmjet feve dhe politikën. Takimi i Moskës përfundoi me një “Deklaratë” për udhëheqësit e G.8, që morën pjesë në Samitin e Shën Pieterburgut nga data 15 deri më 17 korrik
Së dyti u arrit një marrëveshje historike mbi Doktrinën e Shfajsimit, nënshkruar në Seul nga katolikët, luteranët e metodistët. Kardinali Valter Kasper që nënshkroi në emër të Kishës katolike, e konsideron një nga sukseset më të mëdha në rrugën e dialogut ekumenik.
E së treti, ndërmjet ngjarjeve të dhimbshme e tejèt shqetësuse, mbarë njerëzimi ndoqi me emocion një ngjarje vërtetë të gëzueshme që u quajt nga të gjithë ‘Festa e Popujve”. E kemi fjalën për kampionatin Botëror të Futbollit, i cili u ndje deri ndër skajet më të largëta të tokës. Kisha në Gjermani u impenjua gjerësisht për këtë arritje. Pati ngjarje, si festa e popujve, në fillim të Kampionatit, ose kremtimi ekumenik, në të cilat morën pjesë deri në 30 mijë vetë, që i dhanë kampionatit pamjen e një takimi të madh ndërmjet kulturave e feve të ndryshme. Pati edhe shumë nisma ekumenike e nuk mungoi gjatë gjithë evenimentit, asistenca e plotë shpirtërore. Ipeshkvijtë gjermanë ngulën këmbë që para fillimit të ngjarjes së madhe, që të krijohej një atmosferë sa më mikpritëse. E kjo atmosferë do të jetë një nga gjërat që do t’u mbetet në mend të pranishëmve në kampionat, ndoshta më shumë se golat, tani që festa është një kujtim i bukur.

Kujtojmë dy ngjarje të rëndësishme edhe për kishën në trevat shqiptare gjatë korrikut:
Ati i Shenjtë Benedikti XVI emëroi Ipeshkëv-Ndihmës të Tiranë-Durrësit, Atë Gjergj Frendon, rregulltar i Urdhërit të Predikatarëve (dominikan), Vikar i përgjithshëm i së njëjtës Kryedioqezë, duke i caktuar njëkohësisht selinë titullare të Butrintit Duke vijuara kështu plotësimin e hjerarkisë së Kishës katolike.

Ndërsa më 16 korrik kryeipeshkvi i Tivarit, Imzot Zef Gashi bekoi gurin e parë të katedrales së re, gjatë një kremtimi të kryesuar nga kryeipeshkvi i nderit i Vashingtonit, Kardinali Theodor McKerrik. Të pranishëm autoritete të larta kishtare e civile nga Malit i Zi, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina e vende të tjera si dhe një turmë jashtzakonisht e madhe besimtarësh në festë.
Katedralja do t’i kushtohet Shën Pjetrit Apostull.Ngjarje e madhe për një argjipeshkvi njëmijëvjeçare, që është rrahur fuqimisht nga dallgët e stuhitë e historisë e që mund të quhet me plot gojën, martire.







All the contents on this site are copyrighted ©.