Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Nazarin, nesër, Shën Martën.
(28.7.2006 RV)Emri Nazar vjen nga hebraishtja e do të thotë: "I shugurar Zotit".
Shën Nazari kumtoi Ungjillin në Itali, në Gali e në Treviri. E shoqëronte një
djalë me emrin Celso. Si shpërtheu persekutimi në kohën e Dioklecianit në vitin 304
pas Krishtit, u qe prerë koka të dyve së bashku në Milano, ku e dëshmuan me gjak
fenë e tyre në Krishtin. Më vonë Shën Ambrozi e mbarti trupin e martirit në kishën
përballë Portës Romake, e cila që asokohe quhet Kisha e Shën Nazarit.
E sot
nuk mund të mos përkujtojmë edhe Shën Martën, motrën e Marisë e të Lazrit,
festa e së cilës do të kremtohet nesër. Banonin të tre në Betani, një fshat pranë
Jeruzalemit, mbrapa Malit të Ullinjve, pak kilometra nga Qyteti Shenjt. Duhet të
ishin familje e kamur, me që qenë në gjendje t'i jepnin strehë e ushqim Jezusit me
të Dymbëdhjetë Apostujt, kur këta ishin në kalim nga Galilea drejt Jeruzalemit e pastaj
në ditët që i paraprinë kryqëzimit. Jezusi i donte fort Marinë, Martën e vëllanë e
tyre, Lazrin, të cilin edhe e ngjalli së vdekuri" . Të gjitha këto i gjejmë të shkruara
nga Shën Gjoni Ungjilltar. Festa e Shën Martës kremtohet në mënyrë të posaçme
në Vatikan, ku nesër, sipas traditës së përvitshme, do të organizohet proçesioni me
qirinj të ndezur nëpër rrugicat e Kopshtijeve të Vatikanit, ndër më të bukurit në
botë, me pesë ndalesa, sipas pesë mistereve, duke nisur nga ikona e Zojës së Çestokovës,
tek Zoja e Guadalupes, Zoja e Fatimës, Zoja e Lurdës, Zoja e Rojes e deri te Zoja
e Mëshirës, pranë Kullës së Radio Vatikanit. Proçesioni do të përfundojë me himnin
marian: “Të falem Mbretëreshë, Nëna e mëshirës” Ikona e Zojës së mëshirës ndër
Kopshtijet e Vatikanit u vendos me dëshirën e Papës Gjon Pali II, që nisi ta nderonte
Virgjërën Mari me këtë titull që kur ishte në Vilnius e që i kujtonte edhe përfundimin
e enciklikës Veritatis Splendor. Si në vitet e kaluara, përmes Radio Vatikanit
në lutjen përfundimtare do të lidhen motrat e klauzurës me besimtarët në proçesin,
simbol i bashkimit në një lutje të vetme të Marive të jetës kundruese me Martat e
jetës aktive, ndërmjet të cilave shumë nga ato që i shërbejë nga afër Kishës.