2006-07-28 14:35:31

Marrëveshje ndërmjet katolikëve, luteranëve e metodistëve mbi Doktrinën e Shfajsimit.


(27.7.06 RV)Marrëveshje historike mbi Doktrinën e Shfajsimit, nënshkruar në Seul nga katolikët, luteranët e metodistët. Kardinali Valter Kasper e konsideron një nga sukseset më të mëdha në rrugën e dialogut ekumenik.
Mirëkuptim me vlerë historike mbi temën teologjike, që për dhjetra vjet ka shkaktuar përçarje e njëkohësiht edhe mbi rrugën jo të lehtë drejt bashkimit të plotë kishtar: është fjala për Doktrinën e Shfajsimit, një nga shtyllat e Reformës luterane, kritikuar ashpër në vitin e largët 1547 nga kanunet e Konçilit të Trentit. Pas një ballafaqimi gradual, të hapur nga Koncili II i Vatikanit, që zgjati katër dekada, të dielën e kaluar, në Seul, katolikët, luteranët dhe metodistët nënshkruan marrëveshjen e përbashkët, të cilën të pranishmit e përshëndetën me duartrokitje si një gur kilometrik në dialogun ekumenik.
Gjatë punimeve të Konferencës Metodiste botërore, kremtuar në Korenë e Jugut më 20 deri më 24 korrikun e kaluar, Kisha Katolike, Federata Luterane botërore dhe Këshilli Metodist botëror nënshkruan dokumentin i cili, sipas kardinalit Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për bashkimin e të krishterëve e nënshkrues për palën katolike - është “një dhuratë e Zotit e një nga sukseset më të rëndësishme që është arritur në rrugën e vështirë të dialogut ekumenik”.
Duke cituar Benediktin XVI, kardinali Kasper e quajti këtë hap përpara, shenjë të bashkimit të dukshëm e të plotë në fe”.
Kujtojmë se marrëveshja ndërmjet katolikëve e luteranëve mbi Doktrinën e Shfajsimit u arrit që në vitin 1999. “Zgjërimi i kësaj marrëveshje edhe me Kishën Metodiste i hap portën marrëdhënieve të reja ekumenike”, siç deklaroi, pas nënshkrimit, doktor George Friman, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Metodist botëror. Dokumenti u vlerësua shumë edhe nga udhëheqësit e Federatës Luterane botërore. Sekretari i përgjithshëm i kësaj Federate, doktor Ishmael Noko, nënvizoi se kjo marrëveshje është një pikëmbështetje e re ekumenike dhe uroi që tani edhe bashkësitë si dhe organizmat ndërkombëtare, si Kishat e reformuara, Kisha anglikane ose vetë Kisha ortodokse – të mbajnë së shpejti qëndrime të ngjashme.







All the contents on this site are copyrighted ©.