2006-07-28 18:10:01

Kujtimet e mbresat e ipeshkvit të Aostës, imzot Anfosit për figurën e Benediktit XVI gjatë pushimeve.


(28.7.06 RV)Benedikti XVI u largua nga Valle D’ Aosta, por atje mbeten shumë kujtime nga kjo periudhë pushimi e studimi e Papës. Për to na flet ipeshivi i Aostës, Imzot Gjuzepe Anfosi, të cilin e pyetëm pikërisht për mbresat e këtij takimi me Papën:
Përgjigje: - Cilësia e personit, mënyra e tij për të lidhur miqësi; kur përshëndet, të shikon në sy e kur takon prindër me fëmijë, ndalohet vetë i pari. Mendoj se çka të prek më shumë tek Papa, është sjellja e tij thellësisht njerëzore, qetësia, madje mund të them edhe përvujtëria, gjë që shihet qartë e që u ka rënë në sy të gjithëve, pas përshtypjes së parë që patën vitin e kaluar.
Pyetje: - Papa në çdo rast – nga Lutjet e Engjëllit të Tënzot - tek vizitat ndër kuvendet e shenjtëroret pranë Lë Kombë, dëshmoi se mendimi i tij kryesor gjatë këtyre ditëve, ishte paqja në Lindjen e Mesme, për të cilën u lut vazhdimisht. Sipas jush, është ky aspekti kryesor i këtyre ditëve që Benedkti XVI i kaloi në gjirin e një natyre aq të bukur, si ajo e Lë Kombë?
Përgjigje: - Po, Papa jetoi njëherësh një kohë pushimi e shqetësimi, ashtu si lexuam në Ungjillin e së dielës së kaluar: “Jezusit i erdhi keq për turmat, megjithatë u tha apostujve: Të shkojmë një çast mënjëanë”. E kjo na mëson se përmasa e pushimit e përmasa e thellimit të fesë e të lutjes pajtohen plotësisht me shqetësimet një bariu, kur shikon se grigja është në rrezik.
Pyetje: - Ç’ju ka mbetur në kujtesë nga kjo periudhë pushimi, studimi e lutjeje e Benediktit XVI?
Përgjigje: - Do të thosha, dëshira e shprehur qartë për t’i kushtuar kohën e duhur gjërave që i ka më për zemër, dmth dëshira për të lexuar, për të studiuar e për të shkruar. Por kjo nuk e pengoi aspak t’i lërë mënjanë këto dëshira e t’i kushtojë vëmendje të dorës së parë nismave për paqen. Nuk duhet harruar se Papa kishte ardhur për të pushuar ndërmjet bukurive mahnitëse të natyrës në këto vise malore, prandaj natyrisht edhe shëtiti, vizitoi kuvendet kundruese, gjë që tingëlloi për të gjithë si një mesazh tepër i qartë: ishte mesazhi i përmasës vertikale, i lartimit drejt Zotit, që duhet të përshkojë të gjitha shqetësimet e botës. Është mesazh feje, i cili u nënvizua fuqimisht. Domethënia e transhendencës së Zotit dhe e pranisë së tij, më duket një nga mesazhet më të qarta që jep Papa.








All the contents on this site are copyrighted ©.