2006-07-28 17:17:46

Dita e fundit e Papës në Lë Kombë e mbrëmja e parë në Kastel Gandolfo. Falenderimi i ipeshkvit të Aostës, Imzot Anfosit.


(28.7.06 RV)Përfunduan pushimet e Papës Benedikti XVI në Valle D’Aosta; ndërsa ne po transmetojmë Ati i Shenjtë ka arritur në Kastel Gandolfo, ku do të kalojë pjesën tjetër të verës. Në mikrofonin tonë ipeshkvi i Aostës imzot Gjuzepe Anfosi, i cili uron që Benedikti XVI të rikthehet në Lë Kombë edhe vitin e ardhshëm.
Sot Papa u përshëndet me Luginën e tij, për t’u larguar nga streha valdostane, ku shkoi për të kaluar, për herë të dytë, 18 ditë pushimesh në qetësinë e blerimit përtëritës të Lë Kombë. Por kjo periudhë pushimi nuk kaloi siç ishte programuar. Qetësia u ngarkua me shqetësime e tronditje, për shkak të tensioneve në skenën ndërkombëtare, shpërthimit të krizës ndërmjte Izraelit dhe hezbollahëve libanezë dhe emergjencës humanitare, që ndjehet tragjikisht në Lindjen e Mesme. Këto ngjarje nuk mund të mos ndiqeshin me hidhërim, dhimbje e ankth nga Papa Racinger, i cili këto javë, nga shtëpiza ndërmjet pyjeve alpine, i drejtoi vazhdimisht botës thirrje për një paqe të qëndrueshme e aftagjatë. Të dyja lutjet e Engjëllit të Tënzot, më 16 e 23 korrik, kremtuar në “Lëndinën e Atit të Shenjtë”, siç quhet që në kohën kur këtu kalonte pushimet Papa Vojtyla, u kthyen në britmë kundër luftës në Lindjen e Mesme, në ftesë për t’i dhënë fund vringëllimit të armëve, në lutje për t’i shpëtuar njerëzit e pambrojtur, që nuk kanë të bëjnë fare me konfliktin e në thirrje për t’i hapur rrugën dialogut e mirëkuptimit. Vijon të jehojë lutja: “O Zot i paqes, na e jep paqen sot, na çliro nga të gjitha të këqijat e na jep paqe!”.
E në sa ne po transmetojmë, Papa ndodhet në Kastel Gandolfo, ku do ta kremtojë Lutjen e Engjëllit të Tënzot duke filluar nga e diela e ardhshme, 30 korrik, ndërsa audiencat e përgjithshme, siç njofton Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, do të rifillojnë rregullisht duke nisur nga e mërkura, 2 gusht.
Benedikti XVI i kaloi qetësisht orët e fundit në tokën valdostane, siç nënvizon i dërguari i gazetës italiane “Avvenire” në Lë Kombë, Salvatore Maca, me të cilin jemi lidhur çdo ditë në telefon, për të mësuar të rejat e pushimit të Papës Racinger. E ja, sot, dita e fundit e periudhës së pushimit e studimit për Benediktin XVI. Ishte kështu, apo jo?Përgjigje: - Po, absolutisht. Papa, siç kemi thënë ditët e kaluara, përfitoi nga kjo periudhë për të pushuar e për të studiuar. Sigurisht nuk mundi ta realizonte programin ashtu siç e kishte menduar kur u nis, për shkak të krizës në Lindjen e Mesme. E këtë e panë dhe e dëgjuan të gjithë në shumë raste. Kjo dramë e popujve të viseve tepër të dashura për krishterimin, e preku thellësisht Atin e Shenjtë, si njeri e si papë.







All the contents on this site are copyrighted ©.