2006-07-27 19:36:15

Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Pantaleonin, mjek e martir.


(27.7.2006 RV)RealAudioMP3 Pantaleoni lindi në gjysmën e shekullit III në Nikomedinë e Bitinisë, Turqia e sotme. I jati, Eustorgji, ishte pagan, ndërsa e ëma, Eubula, e krishterë. Eubula e edukoi të birin në fenë e vet, ndërsa i jati ia besoi mjekut të famshëm Eufrozinit, nga i cili djaloshi e mësoi mjekësinë aq mirë, sa të fitonte admirimin e vetë perandorit Maksimian, që e emëroi mjek të oborrit perandorak. Lidhi miqësi të ngushtë me Ermolaon, i krishterë që e praktikonte fshehurazi fenë, për shkak të persekutimit. Kjo lidhje shënoi kthesën e tij të madhe. Nga miku i krishterë mësoi se ilaçi më i mirë, që shëron sëmundjet e korpit e të shpirtit, është Krishti. E ai e kuptoi thellësisht këtë të vërtetë, kur arriti të ngjallte së vdekuri një fëmijë të kafshuar nga nepërka, të cilën e bëri të ngordhte para syve të mrekulluar të atyre që ishin të pranishëm. Qe mrekullia e parë – që e shtyu të ndiqte përfundimisht rrugën e krishtërimit. Shumë mrekulli të tjera do të bënte më pas, sa ishte i gjallë e pas vdekjes. Duke pasur një dashuri të jashtzakonshme për t’anë, përmes “ilaçit të lutjes”, ia doli ta kthente edhe atë në fenë e Krishtit.
Edhe historia e martirizimit të tij nis e vijon me mrekulli: perandori bëri çmos ta rikthente mjekun e ri në rrugën e idhujtarisë, duke e nxitur të adhuronte, perendinë e mjekësisë, Eskulapin, në vend të Krishtit. Pantaleoni propozoi të organizohej një lloj gare ndërmjet tij e priftërinjve paganë. Thirrën për këtë qëllim një njeri të paralizuar. Priftërinjtë paganë iu luten me sa zë që kishin Eskulapit ta shëronte. Më kot. Ndërsa Shenjti iu lut me gjithë zemër Krishtit e paralitiku u ngrit përsëri në këmbë. Mrekullia i mahniti të pranishmit, shumë prej të cilëve u kthyen në fenë e krishterë. Por njëkohësiht ndezi edhe zilinë e priftërinjve idhujtarë, të cilët e nxitën perandorin ta torturonte mjekun e ri, derisa të rikthehej tek idhujt. Këtu historia e martrizimit merr trajtat e një romani, në të cilin përfshihen edhe Ermolao e shumë të krishterë të tjerë. Vijojnë mrekullitë, të cilat kanë thjeshtë karakter gojëdhanor, prandaj nuk pranohen nga kritika hagjiografike, e cila i kushton shumë vëmendje vërtetësisë historike.
Shenjti u dënua me një vdekje të tmerrshme. Ia gozhduan të dy krahët në kokë e pastaj ia prenë. Ishte viti 305, data 27 korrik. Në këtë datë kujtohen edhe Ermolaou e shokët e tij.
Shenjti është Pajtor i qytetit italian Kremona, që e kremton më 10 qershor, ditë në të cilën, me ndërmjetësinë e tij, shpëtoi nga murtaja.







All the contents on this site are copyrighted ©.