Një angazhim i përbashkët për arritjen e paqes në Lindje të Mesme.
(27.7.06 R.V.)Me këtë premtim u mbyll
konferenca e djeshme ndërkombëtare në Romë për Libanin. Në takimin me gazetarët u
bënë të njohura vendimet e 15 vendeve, OKB-së, BE-ian dhe Bankës Botërore. Gjatë punimeve
të saj ra në sy shqetësimi i pjesëmarrësve për situatën e krijuar por edhe vendosmëria
për rrugëdalje nga kriza. Por në Konferencën e Romës nuk u arritën rezultate, pasi
protagonistët e konfliktit, Izraeli, Siria dhe Irani nuk morën pjesë. Në fund të konferencës
Kofi Anan kërkoi që Teherani dhe Damasku të përfshihen në bisedime për paqen. Fërkime
pati gjithashtu edhe ndërmjet Francës dhe SHBA-ës. Ndërsa ministri i jashtëm francez
Philippe Douste-Blazy kërkoi armëpushim të menjëhershëm, sekretarja e shtetit amerikan
Condoleeza Rice u shpreh për paqe të gjatë e të garantuar, anipse jo të menjëhershme.
Ndërkaq në Liban vijojnë betejat. Kabineti izraelit i sigurisë njoftoi sot se do t’i
kufizojë veprimet në terren dhe se do të evitojë përhapjen e konfliktit. Po ashtu
gjendja e refugjatëve libanezë vazhdon të jetë e rëndë. Mbi këtë temë u diskutua edhe
në Konferencën e Romës dhe u gjet rruga për dërgimin e ndihmave humanitare në Libanin
e jugut.
E ndërsa Lindja e Mesme po përjeton çaste tragjike, Al Kaeda del
sërish në skenë. Al Zawahiri zëvendësi i Bin Ladenit kërcënoi me anë të një mesazhi
video transmetuar nga Al Xhazira, se Al Kaeda do të kryejë aksione të tjera terroriste.
Më pas Al Zawahiri nxiti myslimanët e gjithë botës të luftojnë e të bëhen martirë.
Në
Irak një tjetër ditë e përgjakshme. Të paktën 31 vetë, ndërmjet të cilëve edhe gra
e fëmijë mbetën të vrarë dhe mbi 100 u plagosën nga shpërthimi i një autobombe e disa
predha mortajash në një zonë tregtare të Bagdadit. Gjithnjë në kryeqytet 4 roje sigurie
u vranë me atentat para një xhamie shiite. Ndërsa vendimi i procesit gjyqësor për
Sadam Hyseinin u shty për me 16 tetor.
Në seancën e sotme parlamentare
presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu deklaroi se gjatë takimit të Vjenës ka takuar presidentin
serb Boris Tadic. “Dua t’ju informoj se gjatë drekës në Vjenë pata një takim me presidentin
Tadic, të cilit i shpreha edhe një herë kërkesën tonë për pavarësi të plotë të Kosovës”-
pohoi para deputetëve kosovarë z. Sejdiu.