2006-07-26 16:17:47

Programi i kërkimeve shkencore mbi qelizat staminale, miratuar dje nga Bashkimi Evropian, kërcënon jetën e embrioneve njerëzore.


RealAudioMP3 (26.7.06 RV)Është miratim kompromisi, ndonëse i kufizuar nga kushte të caktuara. U miratua kështu Programi shtatvjeçar 2007- 2013 që parashikon, ndërmjet tjerash, edhe financimin e kërkimeve shkencore mbi qelizat staminale ekzistuese, me kusht që të mos sigurohen nga shkatërrimi i embrioneve njerëzore. Por pas këtij kufizimi fshihet një kompromis i papranueshëm për Kishën, pohon kryeipeshkvi Elio Sgreçia, kryetar i Akademisë Papnore për Jetën, i cili shpjegon natyrën e programit të miratuar dje, duke vënë në dukje kundërvëniet e tij:

Përgjigje: - Vendimi i Këshillit të Ministrave shpjegohet me tri pohime. I pari thotë se punonjësi shkencor ndalohet të mbysë embrionin e njeriut, për të siguruar qelizat e dëshiruara.
Ndërsa pohimi i dytë thotë se ky apo një tjetër punonjës, mund të shfrytëzojë linjat qelizore të prodhuara nga të tjerët, të cilët, natyrisht, kanë shkatërruar embrionet që janë ose jo, të tepruara nga fekondimet artificiale, por gjithsesi, embrione të gjalla e prej tyre kanë prodhuar linja qelizore, duke i vënë më pas në shitje. Domethënë vendoset një përkim interesash ndërmjet atyre që shesin e që përgatisin linjat qelizore e atyre që i blejnë. Ky përkim interesash nga pikpamja etike s’është tjetër, veçse bashkëpunim, siç e quajnë moralistët, në të cilin nuk mungon pjesëmarrja në përgjegjësinë e atyre që i prodhojnë qelizat dhe i hedhin në treg.
Pohimi i tretë thotë se mund të prodhohen protokolle kërkimesh shkencore për financime që kanë për qëllim të përdorin embrionet e ngrira, të cilat nuk mund të vendosen më në mitrën e nënës, pasi të jetë vërtetuar se kanë vdekur. Tani e dimë se për të vërtetuar vdekjen, këto embrione duhen shkrirë e, kur shkrihen, disa prej tyre vdesin. Është tepër e vështirë, prandaj, sepse nuk ekziston akoma një teknikë që mund ta diagnostikojë vdekjen. Prej këndej themi se nuk e kuptojmë si mund të praktikohet kjo rrugë, pa shkaktuar shkatërrimin e embrioneve. Në se embrioni është ai që është, dmth qenie njerëzore, ne shohim qartë se këto tre pohime nuk harmonizohen ndërmjet tyre. E ja pse gazetat – jo vetëm ato me prirje katolike si “Avvenire”, por edhe të tjera – e kanë quajtur hipokrit këtë vendim, në të cilin mungon harmonia, qëndrimi konseguent.

Pyetje: - A mund të themi se nga njëra anë shkruhen vija parimore që në dukje duan të thonë një gjë, ndërsa në praktikë del diçka tjetër?

Përgjigje: - Po. Unë e ndjej për detyrë të bëj disa vërejtje të karakterit etik apo, po të doni, edhe të karakterit etiko-politik. E para është se duke ecur në këtë rrugë, nuk mbrohet e drejta e këtyre embrioneve për të jetuar. E që Evropa, në një parlament të këtij lloji, nuk e njeh këtë të drejtë, të parën ndërmjet të gjitha të drejtave të tjera, të drejtën për të jetuar, ky është një fakt i rëndë. Ashtu si është e rëndë që ligjshmëria të autorizojë manipulimin e qenies njerëzore mbi bazën e pohimit: ‘Unë e mbys njërin, për të përfituar të tjerët”. Vërejtja e dytë që bëj është se Evropa, e cila në këtë çast impenjohet me arsye e kolegjialitet për të shuar aktet e dhunës e të luftës në Mesdheun e afërt, kryen një veprim të rëndë inkoherence, duke mos iu kundërvënë një kërkimi shkencor shkatrrimtar, ku nuk mungon aspak dhuna, edhe pse ushtrohet në zanafillën e jetës. Megjithatë, mbetet dhunë, e njëllojtë si kur ushtrohet mbi fëmijët që nuk kanë lindur, ashtu edhe mbi ne që kemi ardhur në botë.


  







All the contents on this site are copyrighted ©.