2006-07-26 16:06:32

Në Vale D’ Aosta Papa lutet për paqe në Lindjen e Mesme dhe mbështet përpjekjet diplomatike për armëpushim. Imzot Lajojo përfaqëson Selinë e Shenjtë në Konferencën e Romës për Libanin.


RealAudioMP3 (26.7.06 RV)Nga Lë Kombë Benedikti XVI i shikon me besim e shpresë përpjekjet diplomatike për paqen në Lindjen e Mesme, që arritën një nga kulmet me konferencën e sotme të Romës. Pas kremtimit të Ditës së lutjes e të pendesës, mbrëmë, duke u kthyer nga një ekskursion ndër shtigjet e alpeve, mendimi i Papës shkoi përsëri tek kriza izraelito-libaneze.
Mendim që nuk i ndahet Atit të Shenjtë këto ditë pushimi në Vale D’Aosta, gjatë të cilave vijon të ndjekë me vëmendje ngjarjet në Lindjen e Mesme dhe lutet vazhdimisht për paqen. Edhe dje, duke vizituar shenjtëroren mariane të Zojës së Bekuar, në shpatet e Malit të Bardhë, Benedikti XVI u lut për popujt e tronditur rëndë nga kjo luftë e re. E, në takimin e zakonshëm me gazetarët, duke u kthyer në Lë Kombë, Papa theksoi se shpreson në arritjen e menjëhershme të armëpushimit.
“Më duket se diçka po lëviz këtë çast. Shoh se lutjet nuk janë të kota. Prandaj duhet të lutemi edhe më shumë që konferenca e Romës të sjellë fryte reale, rezultate konkrete për paqen dhe zgjidhjen e problemeve; shpresoj të shkohet deri në rrënjën e këtyre problemeve, duke gjetur rrugëzgjidhje të qëndrueshme e afatgjata”.
Lutja e Papës në Kishën e Zojës qe një çast shumë prekës, siç nënvizon edhe i dërguari i gazetës “Avvenire” në Lë Kombë, Salvatore Maca:

Përgjigje: - Një shtegtim i vërtetë e i mirëfilltë ky që bëri dje pasdite Papa për t’u lutur për paqen. E, hollësi domethënëse, pasi u lut, Ati i Shenjtë iu drejtua besimtarëve të pranishëm, të cilët i ftoi të luten edhe një herë së bashku me të për paqen. E edhe kjo tregon sa me vëmendje, emocion e shpresë e ndjek Benedikti XVI konferencën e Romës.
Pyetje: - Në sa bota shqetësohet për situatën në Lindjen e Mesme, Papa shkon në një Shenjtërore mariane. Këto ditë Ati i Shenjtë i është lutur disa herë Virgjërës Mari, Mbretëreshës së Paqes…

Përgjigje: - E përsëris, ishte një shtegtim i vërtetë te Virgjëra Mari. Lutjen drejtuar Zojës së Bekuar e dëgjuam në Engjëllin e Tënzot, e dëgjuam të dielën pasdite në famullinë e vogël të Shën Gjergjit, ku Papa shkoi për t’u lutur me bashkësinë vendase. Është, sigurisht, një lutje e vazhdueshme.

Pyetje: - Papa lutet e njëkohësisht ndjek me vëmendje të madhe ngjarjet, në lidhje të vazhdueshme me Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit dhe me Nunciaturat….

Përgjigje: - Do të kujtoja, përveç tjerash, se vetë Papa deshi që Cor Unum të vihej menjëherë në lëvizje për të mundësuar hapjen sa më të shpejtë të një korridori humanitar, duke krijuar kështu kushtet për arritjen e ndihmave humanitare atje ku ka më shumë nevojë. Kjo, për të nënvizuar një aspekt të lutjes, që shprehet edhe përmes bamirësisë aktive, bamirësi e cila nuk bën dallime ndërmjet atyre që vuajnë, por i ndihmon të gjithë njëlloj, sepse të gjithë janë vëllezër.
E këtë impenjim për paqe në të gjitha fushat e dëshmon edhe pjesëmarrja e Selisë së Shenjtë në Konferencën për Libanin, në të cilën është ftuar në rolin e vëzhguesit. Në krye të delegacionit të Selisë Apostolike është kryeipeshkvi Gjovani Lajolo, sekretar për marrëdhëniet me shtetet, i shoqëruar nga imzot Franko Kopola dhe Imzot Alberto Ortega Martin.







All the contents on this site are copyrighted ©.