2006-07-25 16:45:14

“Bashkësia ndërkombëtare duhet të impenjohet për mbrojtjen e ambientit të Amazonës”. Kështu shprehet në një intervistë dhënë Radios sonë, Patriku Bartolomeu I.


(25.7.2006 RV)Të kërkohet e të nxitet bashkëpunimi ndërkombëtar për të ruajtur e për të mbrojtur Amazonën, mushkërinë e fundit të madhe të tokës, roli i së cilës është me rëndësi të dorës së parë për stabilitetin klimatik, ciklet hidrogjeologjike dhe biolarminë. Kjo është thirrja e 20 pjesëmarrësve në simpoziumin IV ‘Fe, Shkencë, Ambient’ me temë ‘Lumi i Amazonës, burim jete” që përfundoi javën e kaluar në Brazil. E organizoi dhe e ndoqi personalisht nga afër Shenjtëria e Tij, Bartolomeu I, Patrik Ekumenik i Kostandinopojës. E dërguara jonë në Manaus të Brazilit, Giada Aquilino, e pyeti vetë Patrikun pse ishte e rëndësishme që simpoziumi të mbahej pikërisht në Amazonë:

Përgjigje: - E njohim nevojën dhe urgjencën që ekziston sot për të mbrojtur mjedisin, Krijimin e Zotit, gjithësinë, dhe jemi të lumtur që Kisha motër e Romës, që nga koha e të ndjerit Papës Gjon Pali II, shprehu gatishmërinë të bashkëpunojë me ne. Dua të kujtoj Deklsratën e përbashkët që nënshkruam me Gjon Palin II në përfundim të Simpoziumit IV kushtuar detit Adriatik. Tani Papa Benedikti XVI i dërgoi një mesazh plot dashuri e solidaritet Simpoziumit që sapo përfundoi në Amazonë. Edhe Ati i Shenjtë nënvizon se është urgjente të shpëtohet gjithësia, Krijimi i Zotit.

Pyetje: Cili është bilançi i punimeve të simpoziumit, që u zhvillua në një mënyrë jo të zakonshme, e pikërisht mbi anije që lundronin mbi lumin vigan të Amazonës?

Përgjigje: - Rezultatet janë të kënaqshme. Patëm kontributin e njerëzve të shkencës, të mediave, të autoriteteve vendase. Secili sipas këndvështrimit të vet, nënvizoi se është urgjente të shpëtohet Amazona, territor me shtrirje më se 5 milionë kilometra katrore, burim jete, zonë që ndikon fuqimisht në mbarë botën e që përballon mjaft probleme ekonomike, shoqërore, morale dhe ekologjike. Prandaj vendosëm t’i nxisim të gjithë të ndërhyjnë për të ndihmuar popullsinë vendase e për t’i vënë fre shpërdorimit të zonës amazonike. Lutemi që simpozimi ynë të japë ndihmesën e vet në përpjekjet e përbashkëta për të ndihmuar Krijimin në përgjithësi e posaçërisht në këtë zonë të Planetit tonë.

Pyetje: -Impenjimi i Patrikut Ekumenik të Kostandinopojës nuk ndalet në Amazonë: Për ç’nismë të re mendoni?

Përgjigje: - Mendojmë e shpresojmë për të organizuar Simpoziumin tonë VII ekologjik në Polin e Veriut, në zonën arktike, gjatë verës 2007. Çka na inkurajon, është solidariteti i Kishës katolike e i Papës. E kjo, sepse të gjithë besimtarët janë të thirrur të bashkëpunojnë për ta mbrojtur gjithësinë, Krijimin e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.