Nga Shën Jaku mësojmë gatishmërinë për ta pranuar thirrjen e Jezusit edhe kur na kërkon
t’i lemë siguritë tona.
(25.7.06 RV)Figurën
e Shën Jakut, për të cilin Benedikti XVI foli në audiencën e përgjithshme të 21 qershorit
të kaluar, po e shikojmë në këndvështrimin e porosisë së Papës: të mësojmë nga Shën
Jaku gatishmërinë për ta ndjekur pas Jezusin, sepse rruga e jetës së tij simbolizon
gjithë shtegtimin e jetës së krishterë. Shën Jaku u quajt "i madh" për ta dalluar
nga apostulli tjetër i Jezu Krishtit, me të njëjtin emër. Ishte i biri i Xebedeut
dhe vëllau i madh i Gjonit. Jezusi e zgjodhi atë, së bashku me Pjetrin e Gjonin, që
të ishin dëshmitarë të disa ngjarjeve të jashtzakonshme, siç janë shërimi i vjehrrës
së Shën Pjetrit, ringjallja e së bijës së Jairit, shndërrimi mbi Malin Tabor dhe agonia
në kopshtin e ullinjve në Gjetseman. Jaku ishte peshkatar i thjeshtë e, ashtu si
Pjetri, iu përgjigj me gatishmëri thirrjes së Jezusit, duke lënë varkën e babain me
shegertët. Ndoqi, kështu, gjurmët e Krishtit, duke braktisur skemat që të krijojnë
siguri. Zelli i tij për të ecur pas Krishtit ishte aq i rrëmbyer, sa Jezusi i quajti
atë e të vëllaun “Boanerghes”, bijtë e bubullimës. E kjo ndoshta sepse të bijtë e
Xebedeut janë protagonistë të ngjarjes që ndodhi në një fshat samaritanësh, banorët
e të cilit nuk deshën ta mikpresin Jezusin. “Zot, a dëshiron të themi që të zbresë
zjarr nga qielli e t’i bëjë hi e pluhur?” - pyesin dy nxënësit, në sa Zoti u përgjigjet
me një qortim. Në se kundërveprimi i Jakut e i Gjonit diktohet nga dashuria për Mesinë,
Jezusi mëson mospërdorimin e dhunës, mësim që sot, kur vëmendja e gjithë popujve është
përqëndruar rreth Tokës ku u zhvilluan ngjarjet për të cilat po flasim, tingëllon
më aktual se kurrë. Nxënësi mësoi ç’kishte ndër mend të bënte Mesia, kur e pa të
shndërrohej mbi malin Tabor dhe pastaj në agoni, në Kopshtin e Ullinjve. Por përvoja
e vërtetë, që e çoi drejt pjekurisë, qe ajo e Kryqit. Apostullit iu desh të parandjejë
se Mesia, i pritur si ngadhënjimtar, në të vërtetë nuk ishte i rrethuar vetëm me nderime
e lavdi, por edhe me vuajtje e ligështi, se lavdia e Krishtit realizohet pikërisht
në Kryq, në pjesëmarrjen e Tij ndër vuajtjet tona”. Pasi kërkon një trajtim të
posaçëm në mbarimin e kohës, mëson edhe se të ndjekësh Krishtin do të thotë të pish
së bashku me të një kelk tepër të hidhur. E Jaku e piu me të vërtetë kelkun! Viktimë
e persekutimit të parë judaik pas Rrëshajëve, gjatë të cilit qe burgosur e qe rrahur
mizorisht, u martirizua në vitin 42 pas Krishtit nën Herodin Agripa. Ky është edhe
lajmi i fundit që na jep Besëlidhja së Re për Jakun e Madh. Nga përvoja e Shën
Jakut Apostull mësojmë gatishmërinë për ta pranuar thirrjen e Jezusit edhe kur na
kërkon ta lemë varkën e sigurive tona njerëzore, mësojmë se duhet ta ndjekim me entuziazëm
në rrugët që na tregon, larg çdo mendjemadhësie; mësojmë se duhet ta dëshmojmë me
guxim, e në se është e nevojshme, deri në flijimin më të lartë, deri në dhurimin
jetës”. Sipas traditës, Shën Jaku ungjillëzoi Spanjën e trupi i tij pushon në
paqe në Santiago të Kompostelës, ku sot festa e Apostullit u kremtua me madhështi.
U paraqit, si çdo vit “ofrenda” apo lutja tradicionale drejtuar Apostullit. Në kremtimin,
tashmë shumshekullor, ndërthuren tradita shpirtërore e folklorike, që ndiqen nga shtegtarë
të cilët nisen nga të katër anët e botës, për t’u bashkuar në lutje pranë varrit të
Apostullit. Katër janë rrugët që çojnë në Santiago, të cilat në Puente la Reina takohen
e bëhen një rrugë e vetme…”. me këto fjalë nis “Doracaku i shtegtarit të Santiagos”.
E shtegtarët evropianë që prej dhjetë shekujsh vijojnë të ecin në këmbë nëpër të katër
rrugët, për t’u pastruar shpirtërisht tek Varri i Apostullit të madh, Pajtorit të
Spanjës, të shtegtarëve, të kalorësve e të njerëzve që vuajnë nga reumatizmi. Prandaj
simbolet e Shenjtit janë kapela e shtegtarit dhe guaska e detit.