Kardinali Sodano shpreson të arrihen rezultate pozitive në Konferencën e paqes në
Romë.
(25.7.06 RV) Selia e Shenjtë i kushton vëmendje jashtzakonisht të madhe takimit
të rangut të lartë që do të mbahet nesër në Romë. Kështu u shpreh mbrëmë gjatë një
interviste televizive, Kardinali Sodano, i cili nënvizoi se këto ditë diplomacia vatikanase
është impenjuar gjallërisht, duke u lidhur me kancelaritë e shumë vendeve të interesuara.
Kemi ngulur këmbë sidomos – nënvizoi sekretari i Shtetit të Vatikanit – në përpjekjen
për të vënë në jetë direktivat e mëdha që na ka dhënë Papa, dmth për armëpushimin
e menjëhershëm, krijimin e korridoreve humanitare që sigurojnë ndihmat për popullsitë
e pambrojtura dhe fillimin e dialogut ndërmjet palëve. Selia e Shenjtë – shpjegoi
kardinali Sodano – kërkon të jetë asnjanëse, duke pasur mirë parasysh misionin e saj
universal: të bashkojë mbarë njerëzimin. Rruga e qytetërimit bashkëkohor nuk është
ajo e luftës; është rruga e dialogut ndërmjet palëve, rruga e mirëkuptimit. E
përsa i përket takimit të rangut të lartë që do të mbahet nesër, Hirësia e Tij përgëzoi
qeverinë italiane dhe ata që kanë ndërrmarrë këtë nismë, sepse Roma është e thirrur
të çojë paqen në botë.