2006-07-24 20:28:07

Përfundoi pa rezultate konkrete sot në Vjenë takimi mbi të ardhmën e Kosovës


(24.7.06 RV)ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe me praninë e ndërkombëtarëve për statusin e Kosovës. Pra, megjithëse nuk u arrit ndonjë rezultat, kryenegociatori Marti Ahtisari deklaroi se bisedimet ishin më pozitive se ato pararendëse. Para fillimit të takimit Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu deklaraoi se: “Është vullnet i pathyeshëm i shumicës dërrmuese të popullit të Kosovës që Kosova të bëhet shtet i pavarur.” Ide së cilës përfaqësuesit kosovarë iu përmbajtën deri në fund të negociatave të sotshme. Por cilat ishin mundësitë e suksesit të këtij takimi të nivelit të lartë? Kësaj pyetjeje i përgjigjet Federico Eichberg, ekspert i zonës ballkanike:
“Bashkësia ndërkombëtare formuloi vitin e kaluar atë tip zgjidhjeje që i përgjigjet formulës “Më pak sesa pavarësi e plotë”, duke e pranuar pak a shumë se Kosova do të kishte marrë një lloj statusi të veçantë por jo pavarësinë e plotë. Sepse prania e ndërkombëtarëve do të ishte dhe do të jetë vendimtare për mbrojtjen e manastireve, për kontrollin e trafiqeve që zhvillohen në këtë provincë, por edhe sepse Kombet e Bashkuara do të mbajnë garnizone për kontrollin e territorit”.
Mbi të ardhmen e Kosovës, takimin e Vjenës dhe elementin fetar, të dëgjojmë në mikrofonin e Radio Vatikanit Dom Lush Gjergji, Vikar i Përgjithshëm i Kishës Katolike të Kosovës.....RealAudioMP3
















Përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për një armëpushim në Lindje të Mesme sa vijnë e shtohen. Sot sekretarja e shtetit amerikan Condoleeza Rice kreu një vizitë në Liban ku u takua me kryeministrin Fuad Saniora. “Ju faleminderit për kurajon dhe vendosmërinë tuaj”. i tha Rice kryeministrit libanez. Rice bëri gjithashtu thirrje për një armëpushim të menjëhershëm sipas “disa kushteve të drejta” si edhe shprehu gatishmërinë e SHBA-ës për bashkëpunim me Sirinë për zgjidhjen e krizës. Por hëpërhë përleshjet vazhdojnë dhe paqja duket se është larg. Autoritetet izraelite përgënjeshtruan lajmin se Hezbollahët kishin vrarë dy pilotë. Sipas burimeve zyrtare bëhej fjalë për një aksident ajror. Nga ana tjetër hezbollahët deklaruan se nuk do t’i ndalin sulmet me raketa kundër Izraelit. Ndërkaq sa vjen e bëhet më reale mundësia e dislokimit në Liban të trupave të huaja nën udhëheqjen e OKB-së, temë që do të diskutohet në Romë, të mërkurën gjatë konferencës për paqen.


Përsëri atentate në Afganistan. Në një sulm me bomba talebanët vranë sot paradite 3 policë në zonën perëndimore të vendit, ndërsa viktimat e një atentati me kamikaze në provincën e Khostit, ishin dy civilë. Një atentat i tretë afër Kandaharit shkaktoi edhe plagosjen e dy ushtarëve amerikanë.


Rifilloi sot në Irak procesi kundër Sadam Hyseinit, i akuzuar për vrasjen e 148 shiitëve në vitin 1982, por ish-diktatori nuk ishte i pranishëm në sallë. Pas një greve urie 17 ditore, Sadam Hyseini u shtrua në një nga spitalet e Bagdadit. Po sot, nëntë anëtarët e komitetit olimpik irakian, marrë peng para do ditësh nga terroristët, u liruan.








All the contents on this site are copyrighted ©.