2006-07-23 17:51:04

Sot në ditën e uratës e të pendesës, zëri i besimtarëve të mbarë botës u bashkua me zërin e Benediktit XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot për paqe të drejtë e të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.


RealAudioMP3 (23.7.06 RV)Zëri i çarmatosur, por i fuqishëm i njerëzve të gjunjëzuar në mbarë botën në uratën për paqe, u bashkua me zërin e Benediktit XVI në këtë ditë që Papa ia kushtoi lutjes e pendesës, për t’i kërkuar Zotit hirin të heshtë menjëherë dhuna në Lindjen e Mesme e të ngushëllohen popullsitë e vuajtura. Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot nga Lë Kombë, Ati i Shenjtë përsëriti thirrjen për t’u ulur me arsye e përgjegjësi, në tryezën e bisedimeve, që duhet të çojnë në heshtjen e armëve e në vendosjen e paqes së drejtë e të qëndrueshme.
Ditë e veçantë e sotmja për bashkësinë katolike të Lë Kombë, ku ishin mbledhur shpirtërisht besimtarët e mbarë botës e të gjitha besimeve, për t’i kërkuar Zotit dhuratën e paqes, duke iu përgjigjur kështu ftesës së Benediktit XVI. Pas lajmeve tragjike nga fronti i Lindjes së Mesme, Ati i Shenjtë iu lut Zotit që dëshira e shumicës së popullsive për paqe të realizohet sa më shpejt në saje të impenjimit të atyre që përgjigjen për fatet e këtyre popujve:
Përsëris me forcë thirrjen drejtuar palëve në konflikt, që të pushojnë menjëherë armët, të mundësohet dërgimi i ndihmave humanitare e, me impenjimin e bashkësisë ndërkombëtare, të kërkohen rrugët për fillimin e bisedimeve. Shfrytëzoj rastin për të ripohuar të drejtën e libanezëve për integritetin dhe sovranitetit e vendit të tyre, të drejtën e izraelitëve për të jetuar në paqe në shtetin e tyre dhe të drejtën e palestinezëve për të pasur një atdhe të lirë e sovran”.
Më pas Ati i Shenjtë kujtoi viktimat e ndeshjeve të pamëshirshme, të cilat i dënoi përsëri, ashtu si të dielën e kaluar:
“Jam posaçërisht pranë popullsive të pambrojtura civile, të përfshira padrejtësisht në një konflikt në të cilin janë thjeshtë viktima: pranë popullsive të Galilesë, që detyrohen të jetojnë ndër strehime, ashtu si pranë shumicës së libanezëve, që shohin si shkatërrohet përsëri vendi i tyre e që detyrohen të braktisin gjithçka, për të kërkuar shpëtim gjetiu”.
E edhe një thirrje tjetër për bërë çmos që të arrijnë sa më shpejt ndihma konkrete, atje ku ndjehet më shumë nevoja e tyre:
Përsëris edhe thirrjen drejtuar të gjitha organizatave bamirëse që të punojnë pa u kursyer, në mënyrë që këtyre popullsive t’u arrijnë sa më shpejt ndihmat, si shprehje konkrete e solidaritetit të përbashkët”.
Më pas Papa u ndalua tek figura e Shën Marisë Madalenë, festa e së cilës u kremtua dje nga Kisha katolike, për të kujtuar një të vërtetë themelore: “Nxënës i Krishtit është ai që, duke provuar përvojën e ligështisë njerëzore, ka përvujtërinë të kërkojë ndihmë”. E më pas Ati i Shenjtë foli edhe për Shën Brigjidën, që Kisha e kremtoi sot e që është njëra nga Pajtoret e Evropës:
“Erdhi nga Suedia, jetoi në Romë, e prej këndej shtegtoi në Tokën Shenjte; na fton kështu ta ndihmojmë njerëzimin të gjejë paqën e vërtetë pikërisht në Tokën Shenjte”.
Së fundi, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa përshëndeti mijëra besimtarët që ishin mbledhur në lendinën e Lë Kombës, para vilës ku banon Ati i Shenjtë, për lutjen mariane, pasi kishin marrë pjesë në Meshën, kryesuar nga ipeshkvi i Aostës, imzot Gjuzepe Anfosi. Mesha u shoqërua me këngë të kënduara për nder të Papës, nga bashkësia Valser dhe këngëtarët e vegjël. Shenjtëria e Tij falënderoi edhe gazetarët që e kanë ndjekur gjatë këtij pushimi të shkurtër në Vale D’Aosta, i cili do të përfundojë të enjten e ardhshme, kur Benedikti XVI do të niset për në Kastel Gandolfo, seli verore e papëve, ku do të kalojë pjesën tjetër të stinës së nxehtë.
Sipas ndjetit të Atit të Shenjtë, sot paradite në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan u kremtua një Meshë shenjte për paqen në Liban, kryesuar nga ipeshkvi i nderit i maronitëve, imzot Çekrallah Harb, së bashku me shtatë meshtarë libanezë dhe me kanonikun vatikanas, Imzot Gjuzepe Simonaci.
Veç kësaj, në të gjitha Meshët që u kremtuan sot në bazilikën e Shën Pjetrit, iu lartua Zotit lutja për rikthimin e paqes në Liban e në të gjithë zonën e martirizuar të Lindjes së Mesme. E me ndjetin e lutjes së Papës për paqe u bashkuan të gjitha kishat katolike. Nga mbarë bota, një kor vigan, në të gjitha gjuhët e të folmet, ku nuk mungoi as gjuha shqipe, u lartua drejt qiellit, duke nisur nga kishat e Evropës, për të vijuar me faltoret e Amerikës, të Azisë e të Afrikës. Shumë ipeshkvij, ndërmjet të cilëve prelatët e Argjentinës, të Kilit, të Venezuelës, të Italisë, Francës e vendeve të tjera, bënë thirrje për paqe. Me korin e kishave katolike u bashkuan edhe hebrenjtë e Romës si dhe Kishat ortodokse.







All the contents on this site are copyrighted ©.