2006-07-23 13:22:43

Rubrika “Shenjtorët e javës”.


(23.7.2006 RV)Sot, e Diela XVI e kohës gjatë vitit kishtar, Kisha katolike përkujtoi Shën Brigjidën, Pajtore e Evropës.
Ndërsa nesër, e hënë, do të kremtojë festën e Shën Sharbel Maklufit, meshtar dhe të Shën Kristinës virgjër, që na kujtojnë se është e kotë të presim mrekulli, kur e kemi humbur nga sytë shenjën, që është Krishti.
Shën Jaku i Madh, Apostull që do të kremtohet të martën e ardhshme, na kujton se dëshira për të zënë vendet e para i tundon edhe Apostujt. E Jaku e zë vërtetë një vend të parë: është i pari që jep jetën për Krishtin.
Shën Joakimi dhe Shën Ana, prindërit e Zojës së Bekuar, gjyshi e gjyshja e Jezusit, kujtohen të mërkurën e ardhshme së bashku me të drejtët që prisnin ardhjen e Mesisë.
Të enjten pastaj është festa e Shën Pantaleonit, mjek e martir dhe e Shën Çelestinit papë, që na kujtojnë se Jezusi i shpall të lum ata që e mirëpresin Atë dhe fjalën e Tij.
Të premten do të kremtohen Shën Urbani II papë, Shën Nazari e Çelsi, martirë milanezë dhe Shën Vitori papë. Liturgjia e festës së tyre na kujton se fara e mirë shkon dëm në se nuk bie në tokë pjellore. Duhet të jemi, prandaj, tokë e mirë, që fara e Ungjillit të japë fryt në shpirtin tonë.
Të shtunën do të kremtohen Shën Marta, nxënëse e Krishtit dhe Shenjtorët Simpliçi, Faustini, Beatriçja, Feliçi dhe Rufi, martirë. Na kujtojnë se ata që e kanë zemrën e pastër do të banojnë në shtëpinë e Zotit.
Duke u ndaluar te Marta, kujtojmë se mënyra se si e pret Jezusin është ikonë e shërbimit të vërtetë. Por Krishti kërkon më parë dëgjimin e vëmendshëm të fjalës së Zotit, pastaj shërbimin.







All the contents on this site are copyrighted ©.