2006-07-21 18:48:04

Nisma të ndryshme për t’iu përgjigjur Ditës së lutjes për paqe në Lindjen e Mesme.


(21.7.2006 RV)Të shumta shoqatat dhe organizatat humanitare që i kanë nisur tashmë veprimtaritë, ndërsa një numër i madh letrash po arrijnë në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit. Përmes tyre kërkohet që Papa të interesohet për t’i dhënë fund menjëherë konfliktit. Ndërmjet letrave po kujtojmë atë të patrikut grek-melkit Gregorit III Lahman, i cili i shpreh Papës mirënjohjen e tij të thellë për ndërhyrjet e vazhdueshme.
Në Romë Kardinali Ruini u ka drejtuar një letër të gjitha famullive, bashkësive rregulltare, kapelanëve të spitaleve, meshtarëve dhe besimtarëve të qytetit, permes së cilës i nxit t’i përgjigjen thirrjes së Atit të Shenjtë. Ndërmjet nismave – sipas agjensisë Sir, është edhe ajo e Loretos, ku është vendosur që të gjitha lëmoshët e së dielës, që do të mblidhen në Bazilikën e Shtëpisë Shenjte të Nazaretit si dhe ndër të gjitha kishat e tjera, t’i dërgohen Organizatës së zhvillimit për paqen shoqërore, që kryen veprimtari të ndryshme në favor të të krishterëve, myslimanëve dhe hebrenjve. Karitasi italian po nxit të gjitha selitë dioqezane për një aktivizim sa më plotë e të frytshëm dhe për t’i kërkuar Zotit dhuratën e paqes. Edhe Këshilli Botëror i Kishave i ftoi të gjithë anëtarët të luten për ata që vuajnë për shkak të krizës në Lindjen e Mesme, të mbështesin të gjitha nismat për dërgimin e ndihmave humanitare dhe të ngrenë zërin për të kërkuar drejtësi e paqe ndërmjet popujve të zonës.
Ndërkaq në Liban klinikat, shkollat, kuvendet, famullitë e strukturat që kryesohen nga organiztatat dhe urdhërat rregulltare katolike, u kanë hapur portat refugjatëve, ndërsa Karitasi i Libanit ka vënë në lëvizje të gjitha forcat e mundshme për të ndihmuar grupet e njerëzve më të ligësht si gratë, fëmijët e pleqtë, posaçërisht në zonat e Tirit e të Marjeionit.







All the contents on this site are copyrighted ©.