2006-07-20 17:57:08

Papa kërkon për të dielën e ardhshme, një ditë lutjeje për paqen në Lindjen e Mesme si dhe armpushimin e menjëhershëm.


(20.7.2006 RV)Benedikti XVI kërkon nga të gjithë besimtarët që e diela e ardhshme t’i kushtohet lutjes për paqen në Lindjen e Mesme; ndërsa për zonën në konflikt kërkon ndalimin e menjëhershëm të armëve dhe hapjen e korridoreve humanitare.
E diela e ardhshme të jetë ditë kushtuar lutjes për paqen në Lindjen e Mesme: këtë u kërkon Benedikti XVI të gjithë besimtarëve në mbarë botën. Njoftimin e dha sot Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, përmes një note, në të cilën nënvizohet kërkesa e Papës për hapjen e menjëhershme të korridoreve humanitare, që të krijohen kështu mundësitë të arrijnë sa më shpejt ndihmat tek popullsitë e goditura nga konflikti.
Ati i Shenjtë ndjek me shqetësim të thellë fatet e të gjitha popullsive që vuajnë për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, prandaj i fton barinjtë dhe besimtarët e të gjitha kishave të veçanta si dhe të gjithë besimtarët e botës t’i luten Zotit për dhuratën e çmuar të paqes. Posaçërisht – vijon nota e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë - Papa uron që lutja t’i lartohet Zotit për armëpushimin e menjëhershëm, për hapjen korridoreve humanitare, për ndihmat e sidomos për rikthimin e të dyja palëve në konflikt, me arsye e përgjegjësi, në tryezën e bisedimeve. Ati i Shenjtë shpreson se bisedimet do t’i japin fund situatave objektive të padrejtësisë që ekzistojnë në këtë zonë - siç theksoi edhe në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar. Në të vërtetë – lexohet endè në notë – libanezët kanë të drejtë të kërkojnë respektimin e tërësisë tokësore e të sovranitetit të vendit të tyre, Izraelitët kanë të drejtë të jetojnë në paqe në shtetin e tyre e palestinezët, të drejtën për të pasur një atdhe të lirë e sovran. Së fundi – shkruhet në komunikatën e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë - në këtë çast të dhimbshëm, Benedikti XVI u bën thirrje të gjitha organizatave bamirëse që t’i ndihmojnë popullsitë e goditura nga ky konflikt mizor.
E edhe një herë Papa kërkon me forcë të ndiqet me guxim rruga e dialogut për rivendosjen e paqes në Lindjen e Mesme, duke nënvizuar posaçërisht vlerën e mirëkuptimit ndërmjet feve, për të favorizuar dialogun ndërmjet popujve.
Për mundësitë dhe vlerat e këtij dialogu- të ndjekim reflektimin e Imzot Vinçenco Palies, ipeshkëv i Terni-Narni- Amelia:
Përgjigje: - Besoj se, posaçërisht në situatën e Lindjes së Mesme, dialogu duhet të jetë i detyrueshëm, sepse këta popuj – po përdor një fjalë të vështirë – janë të ‘detyruar’ të bashkëjetojnë e bashkëjetesa kërkon impenjim të jashtzakonshëm, posaçërisht në çastet e vështira që po jetojmë. Është e qartë se duhet të heshtin menjëherë armët e rruga e vetme për t’i dhënë fund tragjedisë së përdorimit të tyre, është ajo e rifillimit të dialogut në të gjitha nivelet.
Pyetje: - Ç’ndihmesë mund të japë, në këto rrethana, dialogu ndërmjet feve?
Përgjigje: - Në Lindjen e Mesme, roli i feve bëhet gjithnjë më vendimtar. Sigurisht kemi të bëjmë me një problem politik, problem që ka të bëjë me dy popuj. Secili prej tyre kërkon drejtësi e të drejtë për ekzistencë e, prej këndej, burojnë disa detyrime për të gjithë. Por fetë – në këtë rast tri: hebrenjtë, katolikët e myslimanët, duhet të gjejnë, ndoshta me një impenjim më të madh, rrugët për t’i rivendosur marrëdhëniet, duke ringjallur shpresat për paqen. Kujtojmë se besimtarët e të trija feve janë bijt të Abrahamit e prej këndej të gjithë jemi bijt të të njëjtit Atë.







All the contents on this site are copyrighted ©.