2006-07-20 18:38:32

Lajme shoqërore-politike: 20 korrik


(20.7.2006 R.V.) Ofensiva e Izraelit në Liban ndeshi sot në qëndresë të fortë të hezbollahëve në afërsi të qytetit Avivim, në brendësi të territorit libanez. Këtu trupat speciale të ushtrisë izraelite u goditën nga zjarri me kundratanke i grupeve hezbollah. Si pasojë u hodhën në erë një tank dhe një buldozer si edhe u plagosën rëndë tre ushtarë, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë, njoftuan burimet zyrtare izraelite. Ndërsa hezbollahët qysh nga fillim i betejave e deri më sot nuk kanë pranuar ende të japin shifra të sakta për të vrarët e tyre. Sidoqoftë shtabi madhor i ushtrisë izraelite bëri të ditur se tanimë është përgjysmuar fuqia e hezbollahëve, si në njerëz ashtu edhe në materiale, dhe se sulmet do të vijojnë deri në shkatërrimin e plotë të kësaj lëvizjeje integraliste. Nga ana tjetër edhe hezbollahët vijojnë t’u përgjigjen izraelitëve me katjusha. Sot paradite ata goditën Galilenë si edhe Tiberiadën, por pa shkaktuar viktima ndër civilët.


E ndërsa sulmet e ushtrisë izraelite vazhdojnë, trupa të freskëta të Tel-Avivit po grumbullohen në Galilenë e Epërme, afër kufirit me Libanin. Synimi i tyre është asgjësimi i qendrave të fundit të zjarrit të hezbollahëve, të cilët janë strehuar nëpër bunkerë të nëndheshëm, shpella natyrore e qilarë shtëpishë. “Ne jemi pjesë e një koalicioni të moderuar të kombeve të kësaj zone, që po përballen me këtë koalicion të çmendur, me boshtin e së keqes, që fillon në Teheran, vijon në Damask e përfundon me hezbollahët.” - deklaroi për shtypin ministri për sigurinë i qeverisë izraelite Isak Hercog.


Lufta me Libanin e gjen popullin izraelit si edhe klasën e tij politike të bashkuar. Edhe ata që deri dje ishin treguar pacifistë dhe i kishin kritikuar qeveritë, qoftë të së majtës qoftë të së djathtës për politika të gabuara me fqinjët, kësaj here përkrahën sulmet kundër hezbollahëve. Por më hollësisht për këtë qëndrim të ri të shoqërisë izraelite ndaj luftës, në mikrofonin e Radio Vatikanit flet shkrimtari Alon Altaras.


Përgjigje: Unë nuk e di se çfarë është përdorimi i shpërpjestuar i dhunës. Ekzistenca e Izraelit kërcënohet nga ky sulm sepse është sulm i përgatitur, nuk bëhet fjalë vetëm për hezbollahët por edhe për Hamasin, xhihadin islamik dhe Irakun. Nuk bëhet fjalë për një sulm të organizuar në një ditë, por për një plan strategjik që minon ekzistencën e Izraelit. Dhe Izraeli sigurisht që nuk do të pranojë të asgjësohet. Ky nuk është një pushtim por thjeshtë mbrojtje.

Situata e krijuar në Liban tregoi edhe një herë ligshtinë e qeverisë libaneze përballë forcës së hezbollahëve. Duke folur në lidhur me këtë problem në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera” kryeministri libanez Fuad Saniora kërkoi haptas ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare për çarmatosjen e militantëve hezbollahë. “Hezbollahët kanë krijuar një shtet brenda shtetit në Liban dhe duhet të çarmatosen, por për këtë duhet më parë një armëpushim” tha për gazetën italiane kryeministri libanez.








All the contents on this site are copyrighted ©.